Po vazhdon dita e tretë e protestës së punëtorëve të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, në kundërshtim të vendimit për zhvendosje në objekte private, raporton Ekonomia Online.
Një nga protestuesit, Labinot Berisha, që është pjesë e MKRS-së, tha se për të kundërshtuar këtë vendim kanë nënshkruar edhe një peticion që do t’i dërgohet Presidentit, Kryeministrisë, Ministrisë së Administratës dhe zyrtarëve të lartë të MKRS-së.
“Siç e dini është dita e 3 e protestës sonë dhe do të jetë në vazhdimësi çdo ditë pune nga ora 10:00 duke synuar gjithherë të mbërrimë qëllimin tonë për të cilin jemi duke kundërshtuar fuqishëm zhvendosjen e e stafit të Ministrisë së Kulturës dhe Sportit në një objekt privat”.
“Ne sot vetëm e kemi përfunduar një peticion dhe do t’i adresohet Presidencës, Kryeministrisë, Ministrisë së Administratës Publike dhe njëkohësisht zyrtarëve të lartë të Ministrisë së Kulturës dhe të gjitha subjekteve politike në Kosovë. Në këtë peticion kanë marrë pjesë pjesa dërrmuese e zyrtarëve të ministrisë që e kanë kundërshtuar vendimin e zhvendosjes”.
Berisha ka treguar se deri më tani nuk ka ndonjë shkresë zyrtare për zhvendosje apo tentim për t’i zhvendosur dhe do ta kundërshtojnë në vazhdimësi këtë vendim qoftë edhe në formë radikale.
“E kemi parë që mbrapa në Ministrinë e Bujqësisë kanë filluar të zhvendosen, por në Ministrinë e Kulturës nuk ka pasur ndonjë tendencë për zhvendosje dhe nuk ka as ndonjë shkresë që tregon që duhet të zhvendosemi. Ne jemi të vendosur që më çdo rrethanë me të gjitha mundësitë që kemi në dispozicion dhe me ligj që ta kundërshtojmë deri në formën qoftë edhe më radikale”, tha ai, raporton EO.