Traseja e autostradës “Arbër Xhaferi” Prishtinë – Hani i Elezit ka kaluar nëpër disa hektarë të pronës publike në Komunën e Lipjanit, ndërkohë procedurat e shpronësimit të tyre janë zvarritur prej më shumë se katër vjetësh.
Komuna e Lipjanit që nga viti 2014 vazhdimisht i ka adresuar kërkesë zyrtare Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor në mënyrë që pagesat për shpronësimin e parcelave komunale të derdhen në llogarinë e Komunës, mirëpo deri tashti një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Ndërkohë nëpërmjet një shkrese të cilën e ka siguruar “Koha Ditore”, kjo komunë ka kërkuar nga MMPH-ja kompensimin e parcelave komunale, ndryshe do t’i drejtohen organeve kompetente, shkruan sot Koha Ditore.
Në këtë dokument, midis të tjerash, sqarohet se lidhur me kompensimin e paluajtshmërisë për pronat komunale të shpronësuara, përfshirë zonat kadastrale: Konjuh, Lipjan dhe Marevc, në kuadër të projektit për ndërtimin e autostradës R6 Prishtinë-Hani i Elezit sektori C1 dhe C2 nga MMPH-ja Departamenti i shpronësimit, Komuna e Lipjanit ka dërguar dokumentet për kompensim më 2014-n, më 2015 dhe më 2017.