Preket nga Coronavirusi edhe shteti i vetëm afrikan që s’kishte asnjë rast

Prishtinë | 13 Maj 2020 | 15:05 | Nga Ekonomia Online

Shteti i vetëm në Afrikë që deri më tani nuk kishte regjistruar asnjë rast të koronavirusit, Lesoto, të mërkurën e konfirmoi rastin e parë.

Personi i infektuar ishte në mesin e 81 njerëzve që u testuan për koronavirus pasi javën e kaluar kishin ardhur nga Arabia Saudite dhe Afrika Jugore, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë.

“Ministria e Shëndetësisë e informon tërë komunitetin se vendi tashmë e ka rastin e parë me Covid-19”, tha Dr. Nyane Letsie.

Pacienti i infektuar është banor i Lesotos që studion në Arabinë Saudite, shkruan “The Guardian”.

Lesoto u fut në karantinë më 29 mars për t’u mbrojtur nga përhapja e mundshme e virusit nga Afrika Jugore, territori i së cilës e rrethon tërësisht këtë shtet të vogël. Për më tepër, Afrika Jugore e ka numrin më të lartë të infektimeve në Afrikë.

Kryeministri i Lesotos, Thomas Thabane, më 6 maj mori vendim për lehtësimin e masave të izolimit, duke rihapur përkohësisht dyqanet e produkteve jothemelore.

Të ngjashme