Premtimi i Escobarit në Departamentin e Shtetit, Kamberi: Na tha që marrëvshja s’ka alernativë

Prishtinë | 18 Tet 2022 | 17:30 | Nga Ekonomia Online

Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, të premtën pati mundësinë që t’i paraqiste në tavolinë me të dërguarin të posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në Departamentin amerikan të Shtetit, çështjet të cilat ai i ngre shpesh nga Lugina e Preshevës dhe nga Beogradi.

Kamberi nga SHBA-ja të martën iu përgjigj disa pyetjeve të Gazetës Express, kryesisht rreth takimit me Escobarin. Tha se në takimin e tij dhe të përfaqësuesve tjerë të Luginës me Escobarin kanë shtruar çështjen e diskriminimin që Serbia po ua bën shqiptarëve, ndërsa tha se morën një premtim nga Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shteteve të Bashkuara për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike.

Deputeti shqiptar tha se i kanë kërkuar Escobarit që Lugina e Preshevës të bëhet pjesë e agjendës së dialogut dhe e marrëveshjes eventuale, ndërsa vizitën e nesërme të Escobarit në Prishtinë e sheh si përpjekje për arritjen e një konsensusi politik. Kamberi thotë se dialogu nuk guxon të dështojë për fajin e shqiptarëve, ndërsa komentoi pikat që mund të jenë në propozimin e përbashkët të Gjermanisë dhe Francës, detajet e të cilit tha se nuk i di.

Si erdhët deri te ky takim?

Shaip Kamberi: Prej se është emëruar Emisar Special për dialogun Kosovë – Serbi, Z. Escobar, e ndërmjetësi i BE-së, Z. Lajçak, nuk kanë pasë ndonjë takim me përfaqësuesit e Luginës së Preshevës, përkundër kërkesave tona të vazhueshme që çështja e Luginës së Preshevës të jetë temë e dialogut. Së fundmi, me angazhimin e Ligës qyetetare shqiptaro-amerikane dhe Josep DioGuardit, me sponsorizimin e Qeverisë së Republikës se Kosovës, është mundësuar takimi që kishim këto ditë në State Departament.

A morët ndonjë premtim nga Z. Escobar?

Shaip Kamberi: Ne shtruam çështjen tonë dhe diskriminimin e hapur që Serbia po e ushtron ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës, shprehëm bindjen se dialogu Kosovë – Serbi është ndoshta mundësia e fundit për t’iu dhënë përgjigje nevojave tona.
Ajo që në këtë fazë premtoi Escobar është fjala e tij se do të ketë interesim më të madh për çështjet që shtruam.
Besoj se duhet parë se cili do të jetë edhe qëndrimi i europianëve, meqë ata janë fascilitatorët e dialogut, për të ndërtuar një shteg rreth kyçjes së çështjes së Luginës së Preshevës, gjithmonë të vetëdijshëm se deri më tani përfaqësuesi i BE-së nuk ka pasur ndonjë interesim për çështjen e Luginës së Preshevës.

Cilat ishin kërkesat tuaja specifike?

Shaip Kamberi: Kërkesa themelore është që Lugina e Preshevës të behet pjesë e agjendës së dialogut dhe që marrëveshja eventuale Kosovë-Serbi duhet të ofrojë garanca edhe për të gjitha kërkesat legjitime të shqiptarëve në këtë rajon.

Z. Escobar do te vijë nesër në Kosovë. Cili mendoni se është mesazhi i kësaj vizite, pasi ju e takuat atë paraprakisht?

Shaip Kamberi: Z. Escobar tha se dialogu gjendet në një fazë të vështirë, nuk dha detaje rreth vizitës së tij në rajon. Por, shprehu qëndrimin se marrëveshja s’ka alternativë. Vetë fakti që mbledh krerët e opozitës, besoj se SHBA-të e kanë të rëndësishëm konsensusin e plotë politik në Prishtinë për këtë temë.

Procesi i dialogut duket se po intensifikohet ndërsa Gjermania po e pret përgjigjen e kryeministrit Albin Kurti për propozimin e përbashkët me Gjermaninë. Cila mendoni se duhet të jetë përgjigjja e kryeministrit?

Shaip Kamberi: Nuk i di detajet e planit të ofruar, cilat janë anët pozitive ose eventualisht negative. Një gjë është e qartë, dialogu nuk guxon të dështojë për fajin e shqiptarëve.

Do të mjaftonte një marrëveshje pa njohje, por me anëtarësim të Kosovës në OKB?

Shaip Kamberi: Me anëtarësimin e plotë në OKB, për Kosovën hapen mundësitë e anëtarësimit të saj edhe në mekanizmat tjerë ndërkombëtar. Mbase kjo është me rëndësi.
Ndoshta do të mjaftonte kjo nëse Serbia nuk do të kontestonte kufijtë e Kosovës, duke hequr nga agjenda e aspiratës së aj territoriale këtë çështje. Megjithatë, e thashë që nuk kam detaje të ndonjë plani dhe nuk di se çfarë përmban, prandaj edhe flas vetëm për disa parime që gjithsesi janë të rëndësishme.

A do të mund te konsiderohej kjo si një njohje joformale e pavarësisë së Kosovës nga Serbia?

Shaip Kamberi: Nëse Serbia nuk do të krijojë obstruksione për anëtarësimin e Kosovës në OKB, nëse heq dorë nga aspirata e tij për ndarje të Kosovës, nesë do të fillojë zbatimi i të gjitha marrëveshjeve të nënshkruara deri më tani, nëse lejohet qarkullimi i lirë dhe shumë çështje tjera, mbase edhe do të mund të konsiderohëj njohje de fakto.

Të ngjashme