Premtimi solemn

Prishtinë | 17 Shk 2024 | 16:41 | Nga Bekim Çollaku

Sot, në këtë ditë të shenjtë të shpalljes së pavarësisë së Republikës së Kosovës, le të kujtojmë me nderim dhe respekt të thellë sakrificën e atyre që luftuan me trimëri për lirinë dhe pavarësinë e vendit tonë. Kjo ditë nuk është vetëm një shënim në kalendar, por një kujtesë e gjallë e rrugëtimit të gjatë, të dhimbshëm, por frymëzues që çoi në lindjen e një shteti të lirë.
Ndërsa festojmë këtë arritje të madhe, është thelbësore të mos harrojmë ata që sakrifikuan gjithçka për të bërë të mundur përjetimin e kësaj dite. Kuptohet, lavdia dhe nderi si gjithmonë iu takon heronjve të vërtetë që lanë pas familje, ëndrra, dhe të ardhme të tyre për një Kosovë të lirë dhe të pavarur. Mirëpo në këtë ditë, dhe çdo ditë, duhet të kujtojmë secilin luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK-së), dhe së cilin njëri të këtij vendi, që ka luftuar dhe ndihmuar për çlirim dhe liri. Askush nuk duhet të ndihet i harruar!

Por sot, në një kohë kur duhet të jemi më bashkë se kurrë, është tragjike dhe e papranueshme që udhëheqësit tanë aktualë shtetëror zgjedhin të injorojnë dhe mos i japin nderimin e merituar atyre që formuan themelet e shtetësisë sonë. Veçanërisht, është e rëndësishme të përmendim dhe të mbajmë në mendje sakrificën dhe luftën e ish-presidentit Hashim Thaçit, babait të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, i cili së bashku me Kadriun, Kadriun, Rexhepin, Salihun e të tjerë, aktualisht po përballen me një sfidë të madhe në burgun e Hagës. Beteja dhe sakrifica e tyre për të mbrojtur luftën e drejtë të UÇK-së nuk duhet të harruar kurrë. Hashim Thaçi, bashkë me shumë të tjerë, luftoi jo vetëm me armë në dorë, por edhe me një vizion të qartë për një Kosovë të lirë dhe të pavarur. Sakrifica e tyre ishte një dritë udhëheqëse në ditët më të errëta të historisë sonë. Mirëpo, udhëheqësit aktual shtetëror përveç se tregohen dorë shtrënguar për të siguruar mjete financiare për një mbrojtje cilësore, ata kurrë nuk ngrenë shqetësimin e tyre në emër të institucioneve tona shtetërore për këtë proces të padrejtë, kontravers dhe maratonik. Për turpin e tyre, ata nuk arrijnë të nxjerrin dot nga goja e tyre qoftë edhe vetëm emrat e tyre as në këtë ditë të shënuar.

Prandaj, ne duhet ta bëjmë këtë përvjetor jo vetëm një moment reflektimi, por edhe një thirrje për veprim. Është koha të rikthehemi tek vlerat që na çuan drejt lirisë dhe pavarësisë: uniteti, guximi, dhe përkushtimi ndaj drejtësisë dhe lirisë. Të nderojmë të kaluarën tonë duke punuar për një të ardhme më të ndritur, ku sakrificat e bëra nuk do të harrohen kurrë, por do të jenë shtyllat mbi të cilat ndërtojmë një Kosovë më të fortë, më të drejtë dhe më të bashkuar. Në këtë ditë të shënuar, le të bëjmë një premtim për të mos lejuar kurrë që kujtimet e atyre që dhanë gjithçka për lirinë tonë të zbehen nën hijen e politikave dhe interesave të ngushta.

Sonte, teksa yjet shndrisin mbi qiellin e Kosovës, zemrat tona janë mbushur me një ndjenjë të thellë krenarie, por edhe dhimbje dhe mallëngjimi. Kjo datë shënon jo vetëm përvjetorin e shpalljes së pavarësisë së Republikës së Kosovës, por edhe na e rikujton rrugëtimin e gjatë, të dhimbshëm, dhe të mbushur me sakrifica të që çuan tek liria e shumëpritur. Ndërsa mbrëmja përfshin tokën tonë të bekuar, le të kujtojmë me lot në sy dhe zemra të copëtuara por edhe të mbushura plotë atë çmim të lartë që është dhënë për lirinë. Heronjtë tanë, bijtë dhe bijat më të mira të kësaj toke, i dhanë fund ëndrrave të tyre që ne të mund të jetojmë të lirë. Ata që morën me vete vetëm përqafimin e fundit të nënës, babës, motrës apo vëllait, nuk u kthyen më në shtëpitë e tyre, por emrat e tyre do të jehojnë përgjithmonë në historinë e vendit tonë si simbole të guximit dhe sakrificës së vërtetë.

Prandaj, le të bëjmë këtë ditë jo vetëm një moment kujtimi, por edhe një premtimi solemn. Premtim për të mos harruar kurrë atë çfarë u desh të sakrifikohet për lirinë tonë. Premtim për të luftuar që të vërtetat e sakrificave të atyre që na dhanë lirinë dhe pavarësinë të mos harrohen dhe injorohen kurrë. Premtim për të nderuar me zemër dhe vepra ata që lanë gjithçka pas, që ne të mund të ndërtojmë një të ardhme më të mirë. Në këtë përvjetor të pavarësisë, le të mbajmë gjallë flakën e kujtimit të atyre që sakrifikuan për ne, duke i bërë ata udhërrëfyes të veprimeve tona. Le të jemi zëri i atyre që nuk mund të flasin më, dhe le të bëjmë çdo ditë një nderim për luftën e tyre, duke ndërtuar një Kosovën me të cilën krenohemi të gjithë. Liria dhe pavarësia e Kosovës është testamenti i tyre i pavdekshëm, dhe është detyra e jonë të ruajmë dhe të nderojmë atë çdo ditë.

Të ngjashme