Zyrtarët e Qeverisë së Kosovës shpresojnë se dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit do të rifillojë shumë shpejt në Bruksel pas ndërprerjes nga pala serbe javën e kaluar për shkak të vrasjes së politikanit Oliver Ivanoviqit në veri të Mitrovicës, shkruan sot Gazeta “Zëri”.
Për më tepër, sipas zyrtarëve të ekzekutivit kosovar, dialogu që po zhvillohet mes dy vendeve do të jetë shumë më transparent se ç’ka qenë në të kaluarën.
“Qëndrimi i cili është dhënë qysh në fillim është që dialogu të jetë më transparent në raport me publikun. Kjo nënkupton se për të gjitha temat që do të ketë diskutim do të ketë edhe informim më të shpejtë dhe më të drejtë. Se kur do të zhvillohet faza e re e dialogut është çështje të cilën e cakton Brukseli dhe ende nuk është marrë një vendim, por nuk do të vonohet shumë”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së Informimit të kryeministrit për gazetën “Zëri”.
Të pyetur se a ka ndonjë datë se kur pritet të ndodhë faza e re e dialogut, ata përsëritën që një gjë e tillë nuk do të vonohet.
“Nuk do të shkojë shumë gjatë, për shkak të temave mes dy shteteve të cilat po presin shumë gjatë për t’u diskutuar”.