Presidenca kërkon reagim të Kuvendit për temat që do të diskutohen në Bruksel

Prishtinë | 16 Sht 2020 | 12:45 | Nga Ekonomia Online

Zyra e Presidentit të Kosovës, ka reaguar lidhur me temat që do të diskutohen të enjten në Bruksel, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Përmes një komunikatë për media nga Presidenca, thuhet se hapja e temës së Asociacionit të komunave serbe dhe për të drejtat e komuniteteve është gabim i madh dhe i rrezikshëm.

” Hapja e temave për të drejtat e komuniteteve dhe për Asociacionin e komunave serbe në dialogun e Brukselit është gabim i madh dhe shumë i rrezikshëm i Qeverisë së Kosovës. Është goditje ndaj shtetësisë dhe cenim i sovranitetit të shtetit tonë. Këto tema janë adresuar dhe zgjidhur në kuadër të Pakos së Ahtisaarit, e cila i parapriu shpalljes së pavarësisë, por edhe në kuadër të Marrëveshjes së Brukselit në prillin të vitit 2013 dhe me vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Prandaj, askush nuk ka mandat që të bisedojë në emër të Kosovës për tema të mbyllura, në Bruksel apo kudoqoftë. Kosova nuk mund dhe me asnjë çmim asnjëherë nuk do të lejojë që brenda territorit të saj të krijohet një entitet politik, i cili do të ishte riprodhim i Republikës Serbe në territorin e Kosovës”

“Diskutimi për Asociacionin nesër në Bruksel është fillim i instalimit të Republikës Serbe brenda Republikës së Kosovës. Ndërsa, diskutimi për pronat e Kosovës me Serbinë është në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, si dhe është cenim i sovranitetit të shtetit tonë”, thuhet në komunikatë, raporton ekonomia online.

Po ashtu Presidenca ka kërkuar nga Kuvendi që ta trajtojë këtë hap sipas tyre të rrezikshëm të Qeverisë.

“Kuvendi i Kosovës duhet urgjentisht ta trajtojë këtë hap të rrezikshëm të Qeverisë së Kosovës në dialogun e Brukselit. Po ashtu, urgjentisht duhet ta votojë edhe një rezolutë, me të cilën kryeministrit i ndalohet të negociojë për çështje të brendshme të Kosovës dhe për tema që rrezikojnë rendin e brendshëm shtetëror”.

Për temën e Asociacionit është deklaruar edhe  kryeministri Hoti. Ai ka thënë se nuk do të ketë Asociacion për komunat serbe me kompetenca ekzekutive.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme