Institucionet e Kosovës kanë shprehur gatishmërinë e tyre që procesin e dialogut për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë ta ngrehin në një nivel tjetër, nëse shteti serb zbaton marrëveshjet e arritura deri më tani në Bruksel.
Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, ka bërë me dije për gazetën “Epoka e re” se në këtë fazë pritet të përfshihet edhe presidenti i vendit, Hashim Thaçi. Por, njohësit e rrethanave politike kanë shprehur skepticizëm se ndryshimi i nivelit të dialogut do ta ndryshonte në përmbajtje këtë proces.
Ministrja Tahiri ka treguar se faza e tretë do të jetë faza përmbyllëse e këtij procesi. “Pas zbatimit të marrëveshjeve të pazbatuara do të hapet faza e tretë e bisedimeve, që është faza përmbyllëse e këtij procesi të dialogut. Kjo fazë do të rezultojë me njohjen reciproke mes dy shteteve, do ta trajtojë çështjen e reparacioneve të luftës, të suksesionit dhe demarkacionit me Serbinë. Natyrisht se edhe formati në këtë rast duhet të jetë edhe më i avancuar, të jetë gjithëpërfshirës, duke përfshirë të gjitha nivelet, pra edhe presidentin e vendit”, ka thënë Tahiri.