Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka reaguar pas kthimit të mbi 100 shtetasve të Kosovës nga Siria.
Ai ka bërë thirrje që ata të trajtohen me profesionalizëm, dhe ka thënë se ata duhet të riintegrohen në shoqërinë kosovare sa më shpejtë.
“Kthimi i mbi 100 shtetasve tanë nga Siria, shumica e të cilëve gra dhe fëmijë, u bë i mundur falë një pune të mrekullueshme të institucioneve tona, të cilat bashkëpunuan ngushtë me partnerët ndërkombëtarë.
Tani është shumë i rëndësishëm trajtimi me profesionalizëm i të gjithë të kthyerve. Po ashtu, çdo mbështetje prej të afërmve dhe komuniteteve të tyre, të kthyerve u ndihmon të riintegrohen sa më shpejt në shoqërinë tonë.
Kosova është e orientuar kah vlerat perëndimore dhe është e përkushtuar përkrah partnerëve ndërkombëtarë në luftimin e çdo terrorizmi dhe ekstremizmi që cenon këto vlera!”, ka shrkruar Thaçi.
Këtë vendim të institucioneve të Republikës së Kosovës e kanë përshendetur edhe nga ambasada e SHBA-së në Prishtinë, duke thënë se Kosova po jep shembull për partnerët e Koalicionit Global për luftimin e ISIS-it.