Presidenti dhe kryeministri i Malit janë në arrest, ushtria merr pushtetin

Prishtinë | 19 Gus 2020 | 09:24 | Nga Ekonomia Online

Presidenti i Malit, Ibrahim Boubacar Keita, dhe kryeministri Boubou Cissé, janë në arrest sipas njoftimeve të krerëve ushtarakë, të cilët flasin për një grusht shteti në vend. Televizioni shtetëror njoftoi se Keita, i cili vazhdon të jetë i ndaluar pavarësisht protestave të komunitetit ndërkombëtar, ka dhënë dorëheqjen e ka shpërndarë parlamentin.

“Nuk dua të derdhet gjak që unë të rri në pushtet”, tha ai në një fjalim të shkurtër televiziv. “ Dua të falenderoj popullin e Malit për mbështetjen dhe ngrohtësinë që më ka ofruar përgjatë gjithë këtyre viteve”, shtoi ai. Përpjekja e grushtit të shtetit filloi brenda një baze ushtarake kryesore, rreth 15 kilometra nga kryeqyteti, Bamako, të martën.

Në kryeqytet të rinjtë i vunë zjarrin një ndërtesë në pronësi të qeverisë. Trazirat pasojnë thirrjet për më shumë protesta kundër presidentit. Keita fitoi një mandat të dytë në zgjedhjet e vitit 2018, por ekziston zemërimi i përhapur për korrupsionin, keqmenaxhimin e ekonomisë dhe përkeqësimin e situatës së sigurisë, pasi dhuna xhihadiste dhe ndërmjet komuniteteve është në rritje.

Sot, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara do të zhvillojë diskutime urgjente për situatën në Mali, ndërsa BE dënoi “përpjekjen për grusht shteti” në Mali dhe të gjitha ndryshimet jokushtetuese”, siç tha shefi i diplomacisë së saj, Josep Borrell.

Të ngjashme