Presidenti i Barcelonës, Juan Laporta, ka thënë se projekti për Superligën Evropiane nuk është shuar dhe se një ligë e tillë është e nevojshme për shkak të krizës financiare, duke i bërë thirrje UEFA-s për bisedime për ta zgjedhur këtë çështje.
Laporta foli për herë të parë për Superligën të enjten, një projekt në të cilin klubi i tij Barcelona vijon të jetë së bashku me Real Madridin dhe Juventusin.
Por nga ky projekt u larguan nëntë nga 12 klubet themeluese vetëm 48 pas njoftimit të tij, për shkak të presionit dhe kritikave nga tifozët, analistët, UEFA e FIFA.
“Projekti i Superligës ekziston ende. Është e nevojshme që klubet e mëdha ta shprehin mendimin për krizën ekonomike. Ne jemi përkrahës të ligave shtetërore”, tha Laporta për TV3.
“Ne kemi audiencë. Është ligë e nevojshme, por në fund vendosin anëtarët e klubit. Klubet e mëdha japin kontribut shumë të madh dhe duhet të dëgjohet zëri i tyre në këtë krizë ekonomike”, shtoi ai.
Merita sportive
Sa i përket Superligës si garë, ai tha: “Duhet patjetër të jetë garë atraktive e bazuar në merita sportive. Ne jemi të hapur për dialog të hapur me UEFA-n. Mendoj se do të arrihet një marrëveshje.
Laporta u pyet pse ekipi i tij është ende në listën e klubeve të Superligës, megjithëse nëntë klube të tjera janë larguar tashmë.
“Disa klube janë përballur me presion, por propozimi vijon të ekzistojë. Investimet janë shumë të nevojshme, sepse pagat janë shumë të larta dhe e gjithë kjo duhet të kihet parasysh njëlloj si merita sportive”.