Presidenti i Bayern Munichut, Uli Hoeness, ka bërë të ditur se gjatë këtij afati kalimtar ka refuzuar ofertë prej 150 milionë eurosh për sulmuesin e skuadrës, Robert Lewandowski.
Këtë verë, agjenti i Lewandowskit, Pini Zahavi, kishte thënë se klienti i tij dëshiron të largohet nga kampioni gjerman. Kjo deklaratë kishte bërë që të rritej interesimi për polakun nga shumë klube të mëdha evropiane. Megjithatë, Bayerni ishte i vendosur të mos e lejonte largimin e sulmuesit, përcjell Gazeta Express.
Lewandowski ka marrëveshje me Zahavi që ai ta përfaqësojë vetëm deri në fund të këtij muaji.
“Ne gjithmonë e kemi pasur Robertin nën kontroll, por jo edhe agjentin e tij. Ai tentoi tri apo katër herë të takohej me drejtorin ekzekutiv, Karl-Heinz Rummenigge, drejtorin sportiv, Hasan Salihamidzic dhe mua. Por, ne nuk ia mundësuam këtë. I kam thënë se kam kohë për të vetëm në orën 14:30 më 2 shtator”, ka thënë Hoeness.
“Nëse Robert Lewandowski mund ta lirojë veten nga barra e madha e agjentit të tij dhe të përqendrohet plotësisht në Bayern, atëherë ai është transferimi më i mirë në historinë e Bayern Munichut. Ne mund të kishim marrë 150 milionë euro për të këtë verë”.