Presidenti i Kanunit

Prishtinë | 19 Jan 2017 | 16:49 | Nga Imer Mushkolaj

Në vend që të sigurojë funksionim të pavarur të sistemit të drejtësisë, Hashim Thaçi ka zbritur në odë për të ndarë drejtësi me Kanun. Ai në njërën dorë mban Kushtetutën dhe proklamon ligjin, e në dorën tjetër mban Kanunin. Ai shpall hero një viktimë, duke e viktimizuar gjithë shtetin ligjor.

Në tetor të vitit të kaluar, presidenti Hashim Thaçi ua kishte dërguar katër letra Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit dhe Këshillit Prokuro-rial të Kosovës. Nëpërmjet tyre, ai kërkonte zbardhjen e krimeve gjatë kohës së luftës dhe atyre të pasluftës. Gazetarëve iu tha se në këtë formë, ai po inkurajonte këto institucione që t’i adresojnë për zgjidhje shumë raste që i shqetësojnë qytetarët.

Zbardhja e së vërtetës për këto raste, sipas Thaçit, do të rezultonte edhe në fuqizimin e besimit të gjithë qytetarëve dhe partnerëve ndërkombëtarë në sistemin e drejtësisë në Kosovë.

Megjithatë, Hashim Thaçi nuk e ka pritur drejtësinë që të zbardh një rast të ndjeshëm. Tre muaj pasi adresoi katër letrat e tij, ai ka zgjedhur Kanunin për të qartësuar rastin e vrasjes së Haki Imerit. Në vend se ta fuqizojë besimin e qytetarëve në drejtësi, ai fuqizoi Kanunin.

Presidenti e ka bindur vëllanë e Hakiut, Imerin, duke i bërë be se nuk ka gisht në këtë vrasje. Imer Imeri, që e ka akuzuar vazhdimisht Thaçin, ka deklaruar se është bindur se ai “nuk ka hak as hile në këtë krim”. Sipas tij, presidenti është i gatshëm t’i bëjë be me 124 pleq se është i pastër. Për më shumë, Thaçi e shpalli hero ish-kujdestarin e tij të klasës dhe bëri homazhe te varri i tij.

Ish-funksionari i LDK-së, Haki Imeri, ishte vrarë më 2 nëntor të vitit 1999, në një fshat të Drenicës. Vrasësit e tij ende nuk janë arrestuar dhe vrasja e tij konsiderohet politike. Vëllau i tij, Imeri, kishte rrëfyer se Hakiu ishte kidnapuar dhe torturuar nga tre policë ushtarakë të UÇK-së dhe më pas ishte vrarë.

“Fillimisht u kidnapua nga tre policë ushtarakë të UÇK-së duke dalë nga shkolla ku ishte mësues. Pastaj, sipas informacioneve, është torturuar fizikisht dhe psikikisht dhe pastaj po të njëjtën ditë edhe është vrarë. Me të vetmin motiv-bindjen politike.

Është ndër vrasjet e para politike pas lufte në rajonin e Drenicës. Ende nuk është ndriçuar kjo vrasje, nuk u identifikuan nga Prokuroria as rrëmbyesit, as organizatorët dhe as urdhërdhënësi. Në atë kohë vepronte Qeveria e Përkohshme me kryeministër Hashim Thaçin dhe ministër Rendi Rexhep Selimin.

Përgjegjësia bie mbi ta. Më së miri këta dy persona e dinë se kush ishin ata tre ushtarë të Policisë Ushtarake të UÇK-së që e rrëmbyen, torturuan dhe pastaj e vranë Haki Imerin, e të cilët nuk ishin nga rajoni i Drenicës. Unë nuk po kërkoj hakmarrje. Po kërkoj drejtësi”, kishte thënë para disa muajsh, për ZonaExpress, Imer Imeri.

Dhe, drejtësinë e kërkuar duket se “e gjeti” te Hashim Thaçi, të cilin e mbante përgjegjës për humbjen e vëlla-ut.

Është e trishtueshme të mendosh se çfarë është në gjendje të bëjë presidenti i një vendi, vetëm për “ta larë” veten nga bëmat e pretenduara se janë kryer me dijeninë e tij. Është e tmerrshme kur sheh se si Hashim Thaçi është në gjendje të bëjë gjithçka vetëm për të përfituar politikisht. Edhe në raste vrasjesh maka-bre si kjo.

Ai zgjidh probleme me Kanun ndërkohë që proklamon drejtësi, e gjatë gjithë kohës së qeverisjes së tij sistemi i drejtësisë ka qenë i kapur nga politika.

Ai shpall hero një qytetar të këtij vendi që supozohet se është vrarë nga njerëz të UÇK’së, thua se kështu vepron drejtësia. Ai shpall hero një viktimë, duke e viktimizuar gjithë shtetin ligjor. Me veprimin e tij skandaloz, lindin një varg pyetjesh që kërkojnë përgjigje.

Pse është kaq e rëndësishme për Hashim Thaçin që ta “lahet” nga akuzat për vrasjen e Haki Imerit? Pse ka nevojë që pikërisht tash të “bëjë be” se nuk ka gisht në këtë krim? Si ka mundësi që me një lehtësi të padurueshme ta keqpërdor pozitën e tij prej presidenti për ta shpallur dikë hero, pa u zbardhur vrasja e tij? Si u bind vëllai i viktimës se ai nuk ka gisht në krim dhe si ndodhi që tash Imer Imeri akuzon LDK’në se nuk bëri asgjë për zbardhjen e vrasjes së vëlla-ut të tij? Vetë Imeri ka qenë i burgosur i UÇK-së në Cahan të Shqipërisë, ku është mbajtur dhe torturuar nga pjesëtarë të UÇK-së. Për këtë krim dhe të tjera janë dënuar disa pjesëtarë të UÇK-së, përfshirë Sabit Gecin.

Më 1999 heronj me siguri janë konsideruar ata që dyshohet ta kenë vrarë Haki Imerin – njerëzit e UÇK’së drejtor politik i së cilës ishte Hashim Thaçi. Më 1999, Hashim Thaçi ishte kryeministër i Qeverisë së Përkohshme të Kosovës. Më 1999, Hashim Thaçi kishte në dorë gjithçka.

Për cilin shtet ligjor flet presidenti, kur krimet i zgjidh me Kanun? Për çfarë sistemi të drejtësisë flet presidenti, kur e sfidon atë me veprime skandaloze? Për Haki Imerin dhe të gjithë të vrarët tjerë kërkohet drejtësi institucionale, jo kanunore. Ashtu siç ka thënë edhe djali i Hakiut, Kastrioti. Ashtu siç duhet të jetë. Ashtu siç Hashim Thaçi nuk ka denjuar të jetë.

 

Të ngjashme