A ka mend , në këtë vend : Pasi thuaja të gjitha partitë politike në Kosovë u pajtuan , me qyk të zorit , për zgjedhje të jashtëzakonshme , u caktua data dhe dita për shpërbërje të Kuvendit të Kosovës , me 22 gusht 2019. Ata që janë më pak të mençur i janë dorëzuar inercionit kurse këta që janë rrush e kumbulla nga t ( d )ruri po thonë se Kuvendi nuk do të shpërbëhet por se kjo është lojë e Hashimit dhe shoqëruesve . Konspiracioni është mekanizëm refleksiv , si për marrje të pushtetit , te të mençurit dhe mjet manipulativ për t’i ushqyer injorantët si puna e jonë. Gjithmonë dhe në çdo rast strehohemi dhe arsyetohemi me konspiracion që e bëjnë të tjerët kundër nesh , si faktori më vendimmarrës në politikën globale e që pa neve kjo politikë nuk ka , as kuptim e as përmbajtje. Siç e do vendi dhe kuvendi në raste kur vendi detyrohet të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme , presidenti i vendit , sipas Kushtetutës së Ahtisarit bën përpjekje të mos shkohet në zgjedhje duke caktuar mandatarin tjetër për formim të qeverisë dhe vetëm kur shterren të gjitha mundësitë e negociimit , në marrëveshje me subjektet politike , presidenti cakton ditën e zgjedhjeve. Në aspektin moral , kombëtar , njerëzorë , shtetërorë dhe politik , Ramush Haradinaj bëri shumë mirë që dha dorëheqje para se të shkojë , si i dyshuar , për intervistim në Hagë ku është vendosur dega e Gjykatës Themelore të Muçibabës , e maskuar si Dhoma të Specializuara ku drejtësia dhe padrejtësia do të ndahen sipas parimit etnik kurse provat janë fare të parëndësishme. Kur jemi te kjo gjykatë e Kosovës ( budallenjt edhe e thonë këtë ) , a po ju duket se ka ngjashmëri me UDB-në e ish- Jugosllavisë dhe të Serbisë për faktin se numri i madh i të ftuarve për “ biseda informative “ është emërues i përbashkët i kësaj gjykate me OZNA-n dhe UDB-ën e dikurshme ! Nuk mbeti kush pa u ftuar nga kjo Gjykatë , për turp të drejtësisë dhe viktimave. Hashim Thaçi i cili , kah po shkonë po e quan veten president i Kosovës e thirri kryetarin e Kuvendit , Kadri Veselin , që në emër të PAN-it ta propozojë kandidatin për kryeministër të Kosovës por se Veseli nuk e duk fare me propozim e që bëri shumë mirë ndonëse kandidat të fort për këtë post do të ishim , vogëlsia ime , Milaimi ( Zeka ) dhe Danushi ( Ademi ). Vetëm me ne Kosova do të përparonte për faktin se më m..t nuk bëhet ! Realisht , në ato çaste dramatike për Kosovën kam qenë , ose jashtë Kosovës ose duke hequr bari të keq në oborrin e shtëpisë , me një fjalë herrje dhe djerrje kohe . Kështu , i papërdorshëm për të kontribuar për të ardhmën e ndritshme për Kosovën . Milaimi u vetofrua për këtë post por , së paku , deri më tani nuk ka asgjë. Pata menduar të bëhet një qeveri politeknike me kandidatin konsensual dhe i cili nuk do të refuzohej nga askush , Zafir Berishën. Por as kjo nuk ndodhi. Botërisht , Hashim Thaçi , pas ftesës që i bëri Kadrisë , nuk pati adresa tjera publike kurse për përpjekjet që janë bërë nën rrogoz për një qeveri idiotiko – teknike , nuk kam dhe nuk ka informata të mjaftueshme. Tash , në vend të Hashim Thaçit , Isa Mustafa po sillet si president duke i ftuar të gjitha subjektet politike përjashtuar partnerin e mundshëm të ardhshëm për koalicion , PDK –në , për konsultime për formimin e qeverisë së ardhshme , ende pa u shpërnda Kuvendi dhe pa u shpallë zgjedhjet e jashtëzakonshme nga presidenti me letra , Hashimi i Parë dhe , sinqerisht shpresoj edhe i Fundit.
“ Presidenti “ i Kosovës , Isa Mustafa takohet shpesh me Albin Kurtin , kandidatin permanent për kryeminister . “ Dashuria “ midis LDK –së dhe LVV –së është dashuri antologjike dhe patologjike , sikur nga përrallat për Romeo dhe Gjuljetën në Verona të Italisë. Dhe e cila tradicionalisht përfundon me vdekje , jo fizike por idilike , deri në zgjedhjet e radhës kur kemi pasione të radhës. Si mësit për këtë dashuri janë një pjesë e së ashtuquajturës shoqëri civile dhe disa analistë që prostitucionin e kanë ngritur në nivel të artit të mbijetesë dhe jetëgjatësisë. Ua rrisin mendjen se vetëm këta mund ta shpëtojnë Kosovën thuaja se LDK –ë , deri më tani ka qenë në koalicion me partitë kineze të Tibetit e jo me PDK –në dhe partitë tjera. LDK –ë ka qenë pjesë e të gjitha qeverive në Kosovën e pasluftës hiç këtu qeverinë e përkohëshme dhe qeverinë Haradinaj. Pra , tërë kohën ka qenë pjesë e sahanit dhe pjesë e legenit. LVV –ë nuk ka qenë pjesë e asnjë qeverie prandaj ende është ekuacion i panjohur në nivelin qendror. Në nivelin lokal , sidomos me Prishtinën ka dëshmuar se asgjë nuk dallon nga partitë tjera , madje po të bëheshin bashkë të gjithë ish – kryetarët e Prishtinës , të Titos dhe të Isa Mustafës , nuk do ta degradonin Prishtinën sa e ka shkatërruar Shpend Ahmeti duke e shndërruar në Kandahar të Kosovës dhe Eldorado të korrupsionit. Shpendkeqja ka qenë perl e LVV në zgjedhjet lokale dhe pasi e bleu partinë e Katjushës , ia ktheu Albinit si mos më keq! Albini e nxori Shpendin nga shishja , pasi u rrit dhe iu mprehën dhëmbët. Dihet se fëmiu , të parin që e kafshon pasi t’i dalin dhëmbët janë ushqyesit e tij , nëna dhe babai. E pse Shpendi , si fëmijë i rritur dhe i lazdruar do të bënte përjashtime ?!
“ Presidenti “ Isa Mustafa po bënë llogari si ekspert i institucioneve mikrofinanciare që të mbysin me kamata të larta , mbi 30%. Edhe ai , pa u mbajtur zgjedhjet po llogarit se LDK –ë fiton vota sikur këto institucione mikrofinanciare prandaj po i thërret kredimarrësit duke ua parashtruar dhe imponuar njëanshëm kushtet e kontratës. Me Albinin është në dashuri me elemente sadiste dhe mazokiste ; i shkakton vuajtje Albinit ( sadiste ) duke i dhënë shpresë për një koalicion parazgjedhor ku Albini do të jetë kryeminister dhe mazokiste , i shkakton vuajtje vetes duke u përballë me sharje , fyerje dhe sulme fizike pikërisht nga partia e zotit Kurti. Definitivisht , në raportet midis Isa Mustafës dhe Albin Kurtit është , te të dy këta i theksuar sindromi i Stokholmit apo tregim i mëshirës ndaj xhelatit – dhunuesit ! LDK –ë mund edhe të dali partia fituese , jo pse është e fortë por se të tjerët janë të lodhtë , me një dallim të papërfillshëm të votave . Si e tillë , nëse nuk hynë në koalicion parazgjedhor me LVV , fitorja do t’i shkaktojë shumë probleme pas zgjedhjeve ; do të ketë problem ta formojë qeverinë pa pranuar kushte që për të do të jenë të rënda dhe do të detyrohet të bëjë koalicion me partinë , që , sipas ideologut të shquar të LDK-së , Ismet Beqiri , kanë vendosur , jo një por dy vija të kuqe , PDK-në. Në Kuvendin e fundit të LDK-së, , Isa Mustafa e ka shpëtuar këtë parti nga një ndarje dhe çarje të madhe duke e mbështjellur ndarjen e brendshme ekzistuese me një cipë të unitetit mashtrues e cila mund të shpërthejë nëse LDK –ë mbetet pa pushtet apo nëse të fortit e LDK-së i lë anash , jashtë grazhdit dhe në mëshirën e grabitçarëve apo jeniçerëve të kësaj partie. Nuk ka më analfabetizën në politikë dhe jo vetëm në politikë kur bashkëpunimin e kushtëzoni me vizitë dhe përkulje para një Varri. Këtë po e kërkon LDK –ë nga LVV sepse programin politik e ka ndërtuar dhe po e ndërton nga Varri. LDK –ë duhet të bëjë kompromis me LVV nëse mendon të bashkëpunojë , siç thonë ata për të mirën e Kosovës. Por , jam i sigurt se koalicioni LDK dhe LVV , në planin afatgjatë nuk funksionon e sidomos jo nëse shkohet me një listë zgjedhore të përbashkët. Ky koalicion hipotetik mund të funksionojë më së shumti një vit pas formimit të qeverisë.
LVV –ë ishte subjekti që mori më së shumti vota në zgjedhjet e fundit nacionale mirëpo , rritja e shpejtë shkaktoi edhe ndarje të shpejtë. Fatosat dhe fatoset e Kaçushës e ndanë rrugën me LVV –ën duke keqpërdorur bazën votuese dhe besimin e votuesve. Por kështu e ka politika. LVV –ë , në vend se të lë hapur një deriçkë për bashkëpunim me PSD –në , filloi një sulm frontal ndaj tyre dhe , në këtë mënyrë ndihmuan dhe ndikuan në faktorizimin e PSD-së. LVV –je , me qëndrim inatçorë ndaj PSD –së ka faktorizuar këtë subjekt politik . Albin Kurti këmbëngul të bëhet kryeminister , si më i votuari në Kosovë. Në aspektin logjik edhe kanë të drejtë kurse janë treguar miop në këtë kërkesë për faktin se rrethanat apo yllësia ndërkombëtare nuk e favorizojnë këtë kërkesë. Prandaj kemi pasur koalicione të detyrueshme dhe joparimore. Prandaj LVV –ë ka mbetur në opozitë dhe duket se edhe kësaj radhe do të mbetet në opozitë. As koalicioni eventual me LDK-në nuk siguron se LVV –je do të ndajë pushtetin e aq më parë se do ta udhëheq qeverinë e ardhshme. Insistimi që me çdo kusht të hyhet në koalicion me LDK-ë e që krijon një situatë vardisëse , nuk i shkon LVV –së që ka qenë opozita e vetme në Kosovë , që nga themelimi i saj. Duhet pranuar se LVV –je ka bërë më së shumti ndryshime sikur që edhe vet Albin Kurti ka ndryshuar mirëpo ende janë në fazën e testimit të besimit ndërkombëtar. Albin Kurti ësht trim , patriot dhe thellë jam i bindur se materialisht është i pakorruptuar . Prandaj edhe nuk është koha e tij! Mbase pas katër viteve Albin Kurti edhe mund të bëhet Mesi i politikës kosovare nëse deri atëherë nuk do të ketë luftë në Kosovë apo nëse Kosova do të mbijetoi me këta kufij. Janë shumë të panjohura që presin përgjigje . LVV dhe Albin Kurti nuk duhet të kenë vija të kuqe as ndaj PDK-së e as ndaj PSD-së e as ndaj asnjë subjekti tjetër politik apo personaliteti . Marrja dhe bërja e politikës është aktivitet social kurse hatërmbetja krijon një mjedis jobashkëpunues dhe josocial. Aderimet e fundit në LVV –ë nuk sjellin fare vota të reja përveç emra dhe mbiemra të politikanëve të cilëve u janë zbrazur bateritë në subjektet tjera madje edhe duke e luftuar LVV -e dhe tash duan t’i mbushin këto bateri politike dhe kombëtare në LVV duke zënë një vend ku karikohen lehtë dhe shpejt apo , ku do të sistemohen pa dhënë ndonjë kontribut paraprak në LVV –e.
AAK –së bëri koalicion të pa – pritur me PSD-në e Shpendkeq Ahmetit . AAK –ë , sipas meje do të ketë rritje të votave bë saje të lojës politike së luajtur nga kryeministri Haradinaj. Hardinajt nuk ia fali askush ata pesë ( 5 ) minuta por ia krijoi vetes dhe e luajti lojën perfekt , pa i munguar ndershmëria. Ndershmëria sipas standardeve të Kosovës ! PSD –ë mbeti në lojë politike pasi bëri koalicion me AAK-s dhe këtë e ruajti si atu rezervë pasi në komunën e Prishtinës u turpëruan me keqqeverisja. Koalicioni me AAK- ë ia rritë nivelin e përfaqësimit politik , nga ai lokal në ate qendror dhe , duke ua siguruar mbijetesën politike u siguron imunitet, për një kohë të caktuar edhe nga përgjedjësia penale . Edhe ky është standard i Kosovës. AAK –ë do të bëjë përpjekje të marr edhe ndonjë subjekt politik si puna e AKR-së e cila nuk i duhet as dreqit përveç pronarëve të kësaj partie që me asgjë nuk e kanë merituar pushtetin e pakufishëm që iu është dhënë , fillimisht nga Hashim Thaçi dhe të tjerët , të korruptuar skajshmërisht materialisht , politikisht , kombëtarisht , njerëzisht , pra , në të gjitha aspektet. Sa për Nismën nuk e besoj se Fatmir Limaj do ta fusë kokën në kapelën e Ramushit për faktin se konsideron se është kokë më e madhe se vet Ramushi. Pas zgjedhjeve mund të ndodhin edhe koalicione dhe lidhje që nuk i kap as truri i Sahit Plisit. Tash , në treg ka dalë edhe Alternativa për Kosovën , me emër të madh por thuaja pa anëtarësi duke e vendosur një çmim të lartë për lëkurën e tyre politike. Po e vlerësojnë këtë lëkurë më të shtrenjt se të ishte e krokodilit apo aligatorit. Alternativa për Kosovën mund të sigurojë vota aq sa zë një qese najloni për 100 gram boronica. Edhe një emër tjetër ku vegjetojnë sekserët e certifikuar dhe të noterizuar edhe nga Gjykatat e Kosovës , e quajtur Lista Rugova po ka tendencë kontrabandimi në tregun politik të Kosovës përkatësisht eksponenti në inteligjent i saj , Dardan Gashi. Realish këta nuk kanë fare vota dhe jam i sigurt se , edhe kur voton Dardani apo tjetri , nuk votojnë për veten e tyre por për PDK-ë ose AAK-ë , varësisht nga thesi me tagji që u servohet në grazhd. Por , duhet të pranohet se nuk ka përfituese më të pamerituar i grazhdit , që nga përfundimi i luftës deri më sot se AKR –ë dhe tovarish Begja.
PDK-në nuk e do askush publikisht ndërsa prapa perdeve i lëshojnë brekët të gjithë kur ata i thërrasin. Edhe ky është standard kosovar . Po të mos ishin vijat e kuqe besoj se PDK –ë do të dilte partia e tretë apo e katërt . Tash , pas këtij mllefi sidomos të disa partive politike dhe individëve me të kaluar jugosllave dhe serbe ndaj PDK-së , aksionet e kësaj partie janë rritur dukshëm dhe , po të shkohej në zgjedhje veç e veç do të vëja bast se PDK do të fitonte zgjedhjet apo , në rastin më të krq do të dilte e dyta. Te shqiptarët diçka që është e ndaluar dhe e cila vihet në pozitën e viktimës kanë më së shumti përkrahje , qoftë nga mëshira apo nga kureshtje. Në fund të fundit ; a nuk u përzunë nga Parajsa Adami dhe Eva shkaku se e kafshuan mollën e ndaluar ?! PDK –ë përkatësisht personat e kriminalizuar brenda kësaj partie , në emër të luftës dhe partisë nuk lanë të zezë pa bërë pas përfundimit të luftës dhe përsëri kjo parti mbijetoi. U ndanë në krahun e Hashimit dhe të Jakupit dhe Fatmirit , jo për shkak të idealit apo programit politik por për shkak të luftës për pushtet. Dhe përsëri mbijetuan. Kjo ndarje , për shkak të pushtetit u bartë edhe në disa komuna dhe përsëri mbijetuan . Kjo do të thotë se kjo parti kishte një strukturë mirë të organizuar prandaj edhe mbijetoi. Me PDK-në askush nuk do të bëjë koalicion madje as Alternativa për Gjakovën , gjiganti AKR –ë dhe u mbetet i vetmi partner LBD nëse PDK është për ndryshim të kufijve me Serbinë. Alternativa e Edita Tahirit është në fazën e hibernacionit permanent , në gjumë të thellë , me metabolizëm të aktivizimit politik diku mbi 0.01%. Nëse kemi parasysh të gjitha këto është çudi si PDK –ë ka mbijetuar deri më tani . Nëse përsëri i marrim parasysh ato që u cekën më lartë atëherë PDK –ë nuk do të ndahet keq në këto zgjedhje dhe për këtë i ndihmojnë shumë vijat e kuqe që ia kanë vendosur ato vija dhe të cilat edhe vet duhet të jenë të kornizuar me vija të kuqe. Po thonë se PDK –ë nuk mund të luftojë korrupsionin sepse vet është e korruptuar siç janë dhe ishin të gjitha subjektet tjera politike , pa përjashtim. Duhet ta keni parasysh se pickimi i gjarprit nuk shërohet me paracetamol apo me ndonjë antibiotik qoftë edhe i fuqisë së madhe por nga serumi i pregatitur pikërisht nga helmi i gjarprit. Lufta e madhe bëhet vetëm brenda llojit dhe kjo luftë është e pamëshirshme prandaj edhe jep rezultate.
Përfundimisht , koalicionet pas zgjedhjeve do të jenë përcaktuese për qeverinë dhe mënyrën e qeverisjes por se nuk pres ndonjë ndryshim cilësorë pavarësisht se kush do të qeverisë. Jo se nuk ka vullnet dhe gatishmëri për këtë por se proceset politike , bisedimet idioteske për statusin me Serbinë do të jenë kushtëzim dhe pengesë për luftimin e dukurive negative . Po e shohim që ndrikullat ndërkombëtare që e kanë lidhur dhe vazhdojnë të lidhin çdo kërthizë në Kosovë , Serbinë po e konsiderojnë si kërthizën kryesore në Ballkan rreth së cilës duan t’i lidhin të gjitha kërthizat , pa e prekur e lëre më dëmtuar kërthizën e Serbisë.