Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq, më 23 dhe 24 dhjetor do ta zhvillojë një vizitë zyrtare në Kosovë, thuhet në një komunikatë të publikuar sot nga Presidenca kroate, raporton Gazeta Express.
Gjatë qëndrimit në Kosovë, Milanoviq do t’i vizitojë edhe pjesëtarët e Ushtrisë Kroate që erdhën në nëntor në kuadër të një operacioni të KFOR-it.
Vizita e Milanoviq do të bëhet me ftesë të presidentes Vjosa Osmani.
“Gjatë qëndrimit zyrtar në Prishtinë, presidenti Milanoviq, përveç takimit tete-a-tete me presidenten Osmani-Sadriu, do të marrë pjesë edhe në takimin e delegacioneve të dy vendeve, si dhe takim me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti”, thuhet në komunikatë.
“Vizita e Presidentit të Republikës te pjesëtarët e Ushtrisë Kroate është paraparë në ditën e dytë të qëndrimit të tij në Kosovë, sepse presidenti Milanoviq natën e Krishtlindjes do ta kalojë me ushtarët kroatë. Në Republikën e Kosovës është kontingjenti i 36-të kroat, me 141 pjesëtarë të HV-së. Presidenti Milanoviç i përcolli ata më 22 nëntor 2021, kur pjesëtarët e Ushtrisë Kroate udhëtuan në Kosovë për një rotacion gjashtëmujor. Vizita në Kosovë do të jetë një mundësi që presidenti Milanoviq të takohet sërish personalisht dhe të bisedojë me ushtarët kroatë të cilët do të jenë larg familjeve të tyre gjatë pushimeve”, thuhet në komunikatën e Presidencës kroate.
Gjithashtu, Milanoviq është planifikuar të takohet edhe me i komandantin e KFOR-it në Kosovë, gjeneralmajor Ferenc Kajari.
Milanoviq do ta shfrytëzojë qëndrimin e tij në Kosovë edhe për ta vizituar Janjevën, ku jetojnë kroatë. Në Janjevë, ai do të bisedojë me Don Mato Paliqin, një prift dhe pastor kroat, dhe më pas do të takohet me anëtarët e pakicës kroate për të diskutuar kushtet e jetesës në Kosovë.