Presidenti i Lyonit: Ndihem i mashtruar nga Agnelli

Prishtinë | 22 Pri 2021 | 14:12 | Nga Ekonomia Online

Presidenti i Lyonit, Jean-Michel Aulas, ndihet i zhgënjyer dhe i mashtruar nga presidenti i Juventusit, Andrea Agnelli, i cili u përpoq ta krijojë Superligën Evropiane fshehtazi ndaj miqve të tij.

Pronari i Lyonit foli për mediat franceze në lidhje me polemikat që i shkaktoi projekti për Superligën Evropiane dhe e sulmoi pronarin e Juves, i cili i priu planit për ligën e re, transmeton Gazeta Express.

12 klube të mëdha njoftuan të dielën krijimin e Superligës, e cila dështoi brenda 48 orëve, pasi 10 prej këtyre klubeve u tërhoqën nga projekti pas kritikave të ashpra dhe protestave nga tifozët dhe analistët, ai dhe presioni nga UEFA e FIFA.

Aulas shpjegoi sesi Agnelli i kishte thënë atij dhe presidentit të UEFA-s se lajmet për krijimin e Superligës ishin të rreme një ditë para njoftimit.

“Bisedova me presidentin e UEFA-s Ceferin. I thashë atij se të dielën u përpoqa ta thërras në telefon Andrea Agnellin dhe se ai nuk më përgjigjej”, tregoi Aulas.

“Është një situatë që na bënë të mos ndihemi rehat sepse ai e kishte besimin tonë të plotë dhe unë personalisht isha i afërt me të. Kishim lidhje profesionale dhe personale. Mënyra sesi ndodhi më habit më shumë sesa veprimi. Jam tmerrësisht i zhgënjyer me këtë njeri”, shtoi ai.

“Unë doja që ai të na tregonte të shtunën apo të dielën se diçka po ndodhte. Ai sigurisht kishte arsye të mira, por ne nuk ishim të vetëdijshëm për to dhe tani ai ka krijuar problem të madh. Ndihem se jam mashtruar”, nënvizoi ai.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme