Presidenti i propozon Kuvendit, amendamentimin e një neni të Kushtetutës për mandatin e Speciales (Dokument)

Prishtinë | 25 Gus 2020 | 10:21 | Nga Ekonomia Online

Presidenti, Hashim Thaçi i ka propozuar Kuvendit të Kosovës amandamentimin  e një neni të Kushtetutës së Kosovës që ka të bëjë me mandatin e Dhomave të Specializuara.

Në dokument bëhet e ditur se Presidenti i ka dërguar shkresë Kuvendit të Kosovës, ku propozon një amendament për ndryshimin e nenit 162, paragrafi 13.

Presidenti Thaçi i propozon Kuvendit të Kosovës këtë amendament “mandati i Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar të zgjas deri atëherë kur njoftimi për përfundimin e mandatit të bëhet nga Këshilli i Bashkimit Evropian në konsultim me Qeverinë e Republikës së Kosovës”.

Ndërkaq, në shkresën dërguar Kuvendit të Kosovës thuhet që amendamenti të adresohet për kontroll Kushtetues para se të vihet për aprovim në Kuvend.

“Ju lutem të ndërmerrni masa që këto amendamente në pajtim me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit të adresohen për kontroll kushtetues para se amendamentet të vihen për aprovim në Kuvend”.

Ndryshe, një ditë më parë Thaçi u është adresuar qytetarëve, ndërsa ka kërkuar nga Kuvendi i Kosovës, që mandati i Dhomave të Specializuara të zgjasë deri në njoftimin nga Këshilli i Bashkimit Europian për mbylljen në konsultim me Qeverinë e Republikës së Kosovës.

Ai ka thënë se politika nuk duhet të ndërhyjë̈ në drejtësi dhe as drejtësia në politikë.

“Kjo ishte bindja ime në çdo hap të mbështetjes për krijimin e gjykatave ndërkombëtare dhe paneleve speciale në këto njëzet vitet e fundit. Kjo vazhdon të jetë bindja ime edhe tash kur nga Kuvendi i Republikës së Kosovës po kërkoj që mandati i Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar të zgjasë deri kur njoftimi i përfundimit të mandatit të bëhet nga Këshilli i Bashkimit Evropian në konsultim me Qeverinë e Republikës së Kosovës. Kemi nevojë për qartësi sa i përket mënyrës sesi mbyllen Dhomat e Specializuara, prandaj besoj se deputetët do ta përkrahin këtë iniciativë timen”, ka deklaruar presidenti. 


Fjalë Kryesore:

Të ngjashme