Liverpooli do të kurorëzohet kampion i Premier Leagues pavarësisht se si do të përfundojë kampanja 2019\2020. Këtë e ka lënë të kuptohet presidenti i UEFA-s, Aleksander Çeferin.
Pandemia e koronavirusit ka bërë që thuajse të gjitha ligat evropiane të futbollit të pezullohen. Organizatorët po angazhohen për të gjetur mënyrë për të përfunduar edicionin.
Kur u pezullua Premier League, Liverpooli kishte 25 pikë epërsi, ndërsa kësaj skuadre i duhen vetëm edhe dy fitore për të siguruar titullin e parë të Anglisë në 30 vitet e fundit. Premier League është pezulluar më 13 mars.
Disa klube të Premier Leagues përkrahin idenë që të anulohet edicioni aktual, që do të mund të linte pa titull skuadrën e Juergen Kloppit.
Çeferin javën e kaluar ka thënë se edicioni mund të humbas nëse kampionatet nuk vazhdojnë deri në fund të qershorit.
Por i pari i futbollit evropian beson se edhe nëse ndodh ajo, pritja e gjatë e Liverpoolit për titull të Premier Leagues, do të përfundojë.
“Nuk shoh mënyrë se si Liverpooli mund të mbetet pa titull”, ka thënë Çeferin të hënën për gazetën sllovene Ekipa. “Teoritikisht nuk ka përfunduar çdo gjë, por praktikisht Liverpooli është në prag të titullit”.
Sipas Çeferinit “nëse kampionati nuk do të mund të luhet, prap do të ishte e nevojshme të vlerësohen rezultatet në një mënyrë dhe më pas të përcaktohen kampionët”.
“Natyrisht, unë prapë nuk shoh një skenar në të cilin nuk do të ishte Liverpooli. E kuptoj se tifozët do të jenë të dëshpëruar nëse kjo ndodhë në stadiume të zbrazëta apo vetëm në tabelë. Por unë besoj se Liverpooli do të fitoj titullin në një mënyrë apo tjetrën”, ka theksuar presidenti i UEFA-s.
Premier League ka thënë javën e kaluar se kampionati do të vazhdojë kur të jetë e sigurt dhe e përshtatshme. Vazhdojnë diskutimet se si të kompletohen 92 ndeshjet e mbetura.