Presidenti i Koresë Jugore, Moon Jae-in, do të dërgojë drejt Koresë Veriore një delegacion të kryesuar nga udhëheqësi i sigurisë kombëtare, për të biseduar në atë se si të ulen tensionet bërthamore dhe të ndihmojnë në realizimin e bisedimeve në mes të Phenianit dhe Uashingtonit.
Njoftimi për dërgimin e këtij delegacioni nga zyra e Moon, përbën një moment të rrallë për dy rivalët, ndonëse të dy palët kanë arritur të kenë bashkëpunim gjatë mbajtjes së Lojërave Olimpike Dimërore në Pjongçang të Koresë Jugore.
Delegacioni prej 10 anëtarësh pritet të niset drejt Phenianit më 5 mars për një vizitë dy ditëshe.
Gjatë kësaj kohe ata do të takohen me zyrtarë të lartë të Koresë Veriore.
Në kuadër të vizitës mund të diskutohet për promovimin e paqes në Gadishullin Korean, përmirësimin e marrëdhënieve në mes të dy Koreve dhe krjimin e një ambienti për bisedime në mes të Phenianit dhe Uashingtonit, ka njoftuar zyra e presidentit jugkorean.
Pas vizitës në Korenë Veriore, të dërguarit do të udhëtojnë drejt Shteteve të Bashkuara.
Presidenti amerikan, Donald Trump ka thënë muajin e kaluar se bisedimet me Korenë Veruore mund të ndodhin vetëm “nën kushte të duhura”.
Duke folur më 3 mars, Trump ka thënë se Shtetet e Bashkuara do të takohen me zyrtarë të Koresë Veriore, vetëm pasi Pheniani të “çarmatoset”.
Zëdhënësi i ministrisë së jashtme të Koresë Veriore, i ka bërë thirrje SHBA-së, të mos vendosë parakushte për bisedime.
Muajin e kaluar, nën-presidenti amerikan, Mike Pence ishte planifikuar të takohej me zyrtarë të Koresë Veriore, duke përfshirë motrën e liderit verikorean, Kim Jong Un, derisa ishte në Korenë Jugore gjatë mbajtjes së Lojërave Olimpike Dimërore.
Verikoreanët e kanë anuluar takimin në momentin e fundit, kanë njoftuar zyrtarët amerikanë në muajin shkurt.