Presidenti i kënaqur me përgatitjet e KQZ-së dhe Policisë për zgjedhjet

Prishtinë | 31 Maj 2017 | 19:23 | Nga

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në fillim të fushatës elektorale ka pritur sot në mëngjes në një takim kryetaren e KQZ-së, Valdete Dakan, dhe drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Shpend Maxhunin, të cilët kanë treguar për përgatitjet që janë bërë për mbarëvajtjen e procesit elektoral. Pas këtij takimi Thaçi ka udhëtuar për Kroaci.

Thaçi, siç bëhet e ditur në një njoftim të presidencës, është shprehur i kënaqur me punën që kanë bërë këto dy institucione-KQZ-ja dhe PK-ja, për t’u siguruar që zgjedhjet e 11 qershorit do të jenë të drejta, të lira dhe demokratike.

“Kosova ka ndërtuar traditë të zgjedhjeve të lira, fer, të drejta dhe demokratike dhe jam i bindur se të tilla do të jenë edhe zgjedhjet e ardhshme”, u shpreh presidenti Thaçi

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përvojën dhe profesionalizmin e duhur për të organizuar zgjedhje të standardeve më të larta. Policia e Kosovës ka përgatitjen e duhur për t’u siguruar se çdo gjë do të jetë e qetë dhe paqësore deri në fund të zgjedhjeve”, ka thënë Thaçi.

Presidenti Thaçi gjithashtu ftoi përsëri të gjithë qytetarët që të marrin pjesë në zgjedhje, si dhe partitë politike i ftoi që të vazhdojnë me gjuhën konstruktive dhe me garën fer dhe të qetë. “Kosova do të dëshmojë edhe një herë pjekurinë politike duke mbajtur zgjedhje të lira, të drejta dhe demokratike”, përfundoi presidenti Thaçi.

Të ngjashme