Presidenti Meta flet për vendimin e Kuvendit për shkarkim

Prishtinë | 09 Kor 2019 | 11:38 | Nga Ekonomia Online

Presidenti shqiptar, Ilir Meta, ka folur për ngjarjet e fundit politike në vend si dhe veprimet e parlamentit për shkarkimin e këtij të fundit.

I pyetur se nëse do pranojë një vendim të parlamentit për shkarkimin e tij ai tha se, “kam bërë një betim sublim si President i Republikës për të respektuar dhe mbrojtur Kushtetutën e vendit tim dhe unë do t’i mbetem besnik atij premtimi deri në ditën e fundit në këtë zyrë. Çdo çështje që lidhet me aktet ose vendimet kushtetuese mund të gjykohet vetëm dhe veçanërisht nga Gjykata Kushtetuese, duke përfshirë këtu edhe dekretin e Presidentit të Republikës për të anuluar zgjedhjet e 30 qershorit 2019, ose përpjekjet politike të shumicës qeverisëse për të shkarkuar Presidentin e Republikës”.

Më tej Meta i pyetur nëse vendi duhet të marrë datë hapjeje të negociatave të anëtarësimit në vjeshtë, nisur edhe nga klima politike, u shpreh se, “Tetori nuk është larg, por ne jemi ende në kohë për ta transformuar këtë krizë të thellë në një mundësi reale evropiane për hir të popullit shqiptar. Kryeneçësia për të qëndruar indiferentë ndaj rrethanave të përkeqësuara aktuale apo edhe më keq, për të ecur verbërisht drejt një regjimi njëpartiak do të ketë pasoja shkatërruese për vendin dhe të ardhmen e tij evropiane”.

Presidenti është pyetur gjithashtu dhe për deklaratat e tij të disa ditëve më parë në lidhje me George Soros dhe planet për instalimin e një junte në vend, për të cilat tha se “një grup i strukturuar, që praktikon taktika të një shteti paralel është duke synuar dhe kërkuar kapjen totale të shtetit në Shqipëri, gjë që u shërben agjendave të fshehta. Është e qartë se këto agjenda nuk janë gjë tjetër, veçse në mospërputhje me anëtarësimin tonë në NATO, me procesin tonë të integrimit në BE, ose edhe me partneritetin tonë strategjik me SHBA-në”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme