Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka marrë pjesë sot në shënimin e 20-vjetorit të masakrës në fshatin Studime të Vushtrrisë dhe ka bërë homazhe në Kompleksin Memorial te varrezat e martirëve.
Presidenti Thaçi ka thënë se jemi tubuar sot në 20 vjetorin e masakrës prej më të mëdhave në Kosovë, që ka ndodhur këtu në Studime.
“Kaluan 20 vite dhimbje edhe lot. 20 vite pritje, por në të njëjtën kohë force dhe krenarie. 20 vite të përpjekjeve tona për konsolidimin e lirisë dhe forcimit të shtetit të Kosovës. Por, përsëri kjo dhimbje është e patejkalueshme”, ka thënë presidenti Thaçi.
Kreu i vendit ka thënë se Serbia me këto masakra ka vulosur gjenocidin në Kosovë.
“Kuvendi i Republikës së Kosovës, besoj së shpejti siç është propozuar nga kryetari Veseli, do të nxjerrë një rezolutë që e dënon gjenocidin e Serbisë të kryer në Kosovë. Jo vetëm që e dënon, por në të njëjtën kohë do të kërkojmë që drejtësia të vihet në vendin e duhur”, ka shtuar ai.
I pari i Kosovës, gjithashtu ka shprehur falënderimin e tij për Kongresin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe mikun e madh të kombit kongresmenin Eliot Engel, që dha mundësinë të prezantohet gjithë ajo masakër , vuajtje, dhimbje dhe gjenocidi i Serbisë.
“Nga ky vend sot përsëri dëshirojmë të falënderojmë Kongresin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, mikun e madh të kombit tonë, kongresmenin Eliot Engel, që dha mundësinë të prezantohet gjithë ajo masakër, vuajtje, dhimbje dhe gjenocidi i Serbisë i kryer në Kosovë, dhe ato diskutime të dhjetëra kongresmenëve ishin unike. Mosndëshkimi i gjenocidit serb në Kosovë është një selektim në drejtësi, por edhe amnisti ndërkombëtare për gjenocidin e kryer në Kosovë”, ka theksuar ai.
Presidenti Thaçi ka thënë se si institucione do të bëjmë gjithçka që është e mundur, por sipas tij, gjithçka që mund të bëjmë në raport me Serbinë është të bëjmë në partneritet të ngushtë edhe me SHBA-të dhe me të tjerët, por para së gjithash me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.