Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, është shpallur “Qytetar Nderi” i Komunës së Drenasit.
Ne seancën solemne, kryesuesi i Kuvendit, Naim Bazaj ka lexuar vendimin dhe motivacionin e dhënies së këtij çmimi.
“Presidenti Nishani, me vota unanime të Kuvendit shpallet Qytetar Nderi i Komunës me këtë motivacion; për kontributin e çmuar për shtetin dhe qytetarët e Republikës së Kosovës, vënien e njohjes së Shpalljes së Pavarësisë së saj në agjendat prioritare të tij, në veçanti për vlerësimin dhe lidhjet e veçanta emocionale me Drenicën. Shkëlqesia e tij, z. Nishani ka çmuar figurat më emblematike të Drenicës dhe Kosovës, Adem Jasharin, Fehmi e Xhevë Lladrovci, Shaban Polluzhën e Mehmet Gradicën, duke u njohur dhe rikonfirmuar pavdekësinë për shtetin shqiptar”, tha kryesuesi Bazaj.
Më pas, kryetari i Komunës, Ramiz Lladrovci, në fjalçn e tij tha se sot, Drenasi është krenar, se në gjirin e vet, me cilësinë e veçantë “Qytetar nderi i Komunës”, ka personalitetin e shquar, presidentin e Republikës së Shqipërisë.
“Motivacioni për këtë veprim simbolik, ka prapavijë madhore. Prapavija madhore është që Drenasit, Drenicës dhe Republikës së Kosovës, i shtohet një qytetar nderi që dha kontribut të jashtëzakonshëm për Shqipërinë, njohjen e shtetësisë së Kosovës, vënien e Kosovës në agjendat shtetërore të Shqipërisë si prioritet, shprehjen e mirënjohjes ndaj personaliteteve emblematike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe udhëheqësve të shquar antikomunistë, duke i vënë me meritë në panteonin e të pavdekshmëve të kombit tonë. Ashtu siç Shkëlqesia e Tij, President Nishani, ka kryer një detyrim qytetar, institucional e patriotik, ndaj bijve e bijave të Drenicës dhe Kosovës, sot, Drenasi, me krenari, ju bën qytetar nderi. Zoti President, Komunës së Drenasit që nga sot, i takoni si “Qytetar nderi”, nuk është e madhe për nga numri i popullsisë, nuk ka pasuri natyrore si shumë qytete tjera të vendit tonë, as nuk shquhet për objekte të mëdha infrastrukturore, apo me traditë universitare. Por, Drenasi është një qytet i sakrificës së jashtëzakonshme për liri, me qytetarë krenar e me dinjitet, me mbi 13370 shkollarë, me mbi 850 sportistë të dalluar, burra e gra të vyera, me mbi 3500 veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe me mbi 1000 heronj, dëshmorë e martirë. Nga sot, ju i takoni edhe djepit të trimërisë kombëtare, Drenicës së Komandantit tonë legjendar, Adem Jasharit”.
“Ju, Zoti President, jeni qytetar nderi në qytetin e Heronjve të kombit, Shaban Polluzhës, Mehmet Gradicës, Fehmi e Xhevë Lladrovcit, Rasim Kiçinës, Bedri Shalës e qindra heronjve që i bëjnë nder Drenasit, Drenicës, Kosovës dhe kombit shqiptar. Ju falënderoj sinqerisht President Nishani, Ju tashme jeni në shtëpinë Tuaj. Falënderoj Asamblenë dhe asamblistët komunalë të Drenasit që njëzëri përkrahën nismën time që Ju, të jeni qytetar nderi i Drenasit. Ky është falënderim për krejt ato që Ju, si President, si ministër, si oficer dhe dijetar, keni bërë për Kombin tonë, për Republikën e Shqipërisë, Republikën e Kosovës dhe Drenicën. Zoti President, ju uroj jetë të gjatë dhe shëndet” tha kryetari Lladrovci, dhe ia dorëzoi pllakatën e Shpalljes së Qytetar Nderi dhe si simbolikë të kësaj i dhuroi plisin shqiptar si traditë drenicase.
Në fjalën e tij, presidenti në largim, Nishani, tha se sot është një ditë shumë e veçantë në jetën e tij, njerëzore, politike dhe institucionale. “Drenica heroike tash pjesë e krenarisë kombëtare dhe dimensione të pavarësisë i dha Kosovës, shqiptarëve dhe historisë sonë martirë dhe heronj të mëdhenj. Të nderoj Drenica, të ka nderuar gjithë shqiptaria, të nderoj ky vend do të thotë se të është dhënë besimi nga gjithë i gjak i derdhur dhe të është dhënë besimi ne emër të gjithë asaj sakrifice të bërë ndërshekuj. Këtë nder e këtë besim që ju kryetar dhe asambleist që ma jepni sot ne emër të gjithë qytetarëve të Drenasit, me keni bërë shumë të nderuar, do të mbaj ne zëmër dhe do e përcjell ndër gjenerata”.
“Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte sublimi më i madh i historisë shqiptare, luftë e cila kaloj përmasat edhe ndërkombëtare. Qofshi të nderuar përjetësisht ju, paraardhësit tuaj dhe pasardhësit tuaj dhe ju faleminderit”, tha presidenti.
Pas përfundimit të seancës solemne, ku merrnin pjesë asambleistë të Kuvendit, përfaqësues të subjekteve politike, fetare, kulturore dhe diplomatike etj., presidenti Nishani i shoqëruar nga kryetari Lladrovci ka përshëndetur në oborrin e Komunës qindra qytetarë të cilët kishin dalë për të nderuar.
Presidenti Nishani me plis të bardhë nderohet në Drenas
Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, ka qëndruar sot pasdite në Komunën e Drenasit.
Presidenti, i cili në përfundim të të detyrës, po qëndron për vizitë në Kosovë, ka marrë çmimin “Qytetar Nderi” nga komuna e Drenasit.
Ajo që ra në sy ishte mënyra e paraqitjes së Nishanit në këtë ceremoni.
Kryetari Ramiz Lladrovci u përkujdes që presidenti i Shqipërisë të dukej më tradicional, duke ia vënë mbi kokë plisin e bardhë.