Presidenti palestinez e refuzon bisedën telefonike me Trump-in

Prishtinë | 27 Jan 2020 | 09:19 | Nga Ekonomia Online

Presidenti i Palestinës, Mahmoud Abbas, e ka refuzuar kërkesën e homologut amerikan, Donald Trump, për të zhvilluar një bisedë përmes telefonit, njoftoi një zyrtar palestinez.

Ky zyrtar, i cili foli në kushte anonimiteti për shkak të rregullave të rrepta rreth deklaratave për medie, tha se kreu i Shtëpisë së Bardhë e ka bërë këtë kërkesë para disa ditëve.

Javën e kaluar, Shtëpia e Bardhë njoftoi se presidenti Trump do të takohet të martën me homologun izraelit, Benjamin Metanyahu, dhe rivalin e tij politik, Benny Gantz. Ata pritet të diskutojnë për planin e paqes në Lindjen e Mesme, e cila është cilësuar si “Marrëveshja e Shekullit”.

Sidoqoftë, Abbas disa herë ka thënë se do ta refuzojë planin e Shteteve të Bashkuara për shkak se në të nuk trajtohen çështjet e refugjatëve, kufijve dhe Jerusalemit.

Një televizion izraelit ka raportuar se me planin e presidentit Trump do të njihet sovraniteti i Izraelit në të gjitha vendbanimet në Bregun Perëndimor, të cilat janë ilegale sipas ligjeve ndërkombëtare, shkruan “Anadolu”, transmeton Gazeta Express.

Nëse plani publikohet gjatë kësaj jave, ky zhvillim do të vinte në kohën kur presidenti amerikan po përballet me hetime nga Kongresi, ndërsa Netanyahu me tri akuza për korrupsion.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme