Presidenti Thaçi kërkon njohjen e Kosovës nga Selia e Shenjtë

Prishtinë | 24 Sht 2019 | 15:37 | Nga Ekonomia Online

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në kuadër të punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ka zhvilluar një takim me Sekretarin e Shtetit të Selisë së Shenjtë, Pietro Parolin.

Presidenti Thaçi, fillimisht e ka falënderuar atë për mbështetjen që Selia e Shenjtë i ka dhënë popullit të Kosovës para, gjatë dhe pas luftës.

Ai ka thënë se njohja formale e Kosovës nga Selia e Shenjtë do të kurorëzonte krejt angazhimin e saj për sigurimin e paqes dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor dhe Evropë.

“Populli i Kosovës gjithmonë është udhëhequr nga vlerat e Shën Terezës, vlera të tolerancës, paqes dhe bashkëjetesës. Jemi mirënjohës për mbështetjen që Selia e Shenjtë i ka dhënë popullit të Kosovës. Krejt çfarë ka mbetur është njoha nga Vatikani”, ka shtuar presidenti Thaçi.

Presidenti Thaçi, e ka informuar sekretarin Parolin për harmoninë fetare në Kosovë, për bashkëjetesën ndërmjet komuniteteve, vlera mbi të cilat është ndërtuar shteti i Kosovës.

Nga ana tjetër, Sekretari i Shtetit të Selisë së Shenjtë, Pietro Parolin ka thënë se Selia e Shenjtë është e përkushtuar për paqen, tolerancën dhe stabilitetin në Kosovë.

Në kuadër të punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, presidenti Thaçi do të vazhdojë takime të shumta me përfaqësues të shteteve pjesëmarrëse në këtë eveniment.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme