Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, përmes një video mesazhi ka njoftuar se do t’i kërkoi Kuvendit të Kosovës që “mandati i Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar do të zgjasë deri kur njoftimi i përfundimit të mandatit të bëhet nga Këshilli i Bashkimit Evropian në konsultim me Qeverinë e Republikës së Kosovës”.
“Kam bindjen se deputetët e Kosovës do ta mbështesin këtë kërkesë të arsyeshme dhe mbetem thellësisht i bindur se, mbështetja e drejtësisë për të bërë drejtësi, e nderon Kuvendin e Kosovës dhe e rrit përgjegjësinë e shtetit te Kosovës”, ka thënë ai.
Thaçi ka thënë se i ka ndjekur iniciativat dhe debatin që ka nisur mbi mundësinë e skadimit të afatit të Gjykatës Speciale.
“E dimë se në këto njëzet vite pas çlirimit, Kosovës nuk i kanë munguar gjykatat ndërkombëtare dhe speciale në llojin e tyre. Dhomat e Specializuara janë gjykata e pestë me radhë për pretendimet e njëjta, një rekord i llojit të vet në botë”, ka thënë ai.
Sipas tij, ne nuk mund të lejojmë që për fatin tonë, as sot e as në të ardhmen, të flasin e të vendosin shtetet që ishin kundër lirisë dhe shtetësisë sonë.
“Drejtësinë t’ia lëmë drejtësisë. Politika nuk duhet të ndërhyjë në drejtësi e as drejtësia nuk duhet të ndërhyjë në politikë. Kjo ka qenë bindja ime kur e kam mbështetur në çdo hap krijimin e gjykatave ndërkombëtare dhe të paneleve speciale në këto njëzet vite”, ka thënë ai.