Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka takuar sot, në New York, Kryeministren e Bangladeshit, Sheikh Hasina.
I shoqëruar nga zëvendëskryeministri i Parë dhe ministër i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, presidenti Thaçi shprehu kënaqësinë për takimin e parë dypalësh mes dy vendeve përkatëse, qëkur Bangladeshi e ka njohur Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran.
Kreu i shtetit tha se Kosova është e përkushtuar për të rritur bashkëpunimin me Bangladeshin dhe se dy vendet do të vendosin së shpejti marrëdhënie diplomatike dhe do të shkëmbejnë ambasadorët.
Presidenti Thaçi iu falënderua kryeministres Sheikh Hasina edhe për mbështetjen e Bangladeshit për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.
“Mbështetja e Bangladeshit në Organizatën e Bashkëpunimit Islamik (OBI) për njohjen e mëtejshme të Kosovës është e rëndësishme dhe ne ju jemi mirënjohës për mbështetjen që ju keni dhënë rezolutës që përkrah pavarësinë e Kosovës”, ka thënë presidenti Thaçi gjatë takimit me Kryeministren e Bangladeshit, Sheikh Hasina.