Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi e ka uruar kryetarin e Partisë Socialiste të Shqipërisë Edi Rama për fitoren e zgjedhjeve të 25 qershorit.
Thaçi thotë se mbarëvajtja e zgjedhjeve të lira dhe demokratike ishte një fitore për Shqipërinë dhe qytetarët e saj.
“Sot urova Kryetarin e Partisë Socialiste të Shqipërisë dhe mikun tim, Edi Ramën, për fitoren në zgjedhjet e 25 qershorit.
Përtej garës partiake, mbarëvajtja e zgjedhjeve të lira dhe demokratike ishte një fitore për Shqipërinë dhe qytetarët e saj.
Prandaj, uroj të gjitha institucionet shtetërore të Shqipërisë për suksesin e arritur dhe jam i sigurt se bashkëpunimi vëllazëror dhe institucional me Shqipërinë do të intensifikohet edhe më shumë”, është shprehur presidenti i vendit.
Rezultatet preliminare të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Shqipëri, kur janë numëruar 5132 kuti votimi nga 5.362 që janë gjithsej në të gjithë vendin, tregojnë se Partia Socialiste kryeson me 48.2 për qind të votave, pasura nga Partia Demokratike me 28.75 për qind.
Në vendin e tretë renditet LSI me 14.46 për qind të votave, PDIU ka 4.6 për qind.Sipas mandateve aktuale, PS pritet të ketë 74 deputetë, ose 9 më shumë se sa në zgjedhjet e vitit 2013, PD ka rënie prej 7 deputetëve, nga 50 sa kishte më 2013, në 43. LSI ka shënuar ngritje nga 16 sa ishin më 2013, tash ka 19 deputetë, derisa PDIU aktualisht ka tre deputetë, derisa para katër vitesh kishte katër sish.
PSD në këto zgjedhje ka një deputet, ndërsa para katër vitesh nuk kishte asnjë deputet në Parlamentin prej 140 ulësesh në Shqipëri. Në zgjedhjet e së dielës në Shqipëri dolën për të votuar 46.58 për qind e votuesve me të drejtë vote.