Nën patronatin e presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi u mbajt akademi përkujtimore, kushtuar heroinës së kombit Shotë Galicës, me rastin e 90 vjetorit të vdekjes së saj.
Presidenti Hashim Thaçi, tha se me këtë akademi i bëjnë nderim shtetëror Shotë Galicës, heroinës së shqiptarëve në Kosovë e Shqipëri, raporton Ekonomia Online.
” Me rastin e 90 vjetorit të vdekjes kam formuar dekoratën ‘’Shotë Galica’’, ku do të shpërblehen figurat që u sakrifikuan për liri. Djegiet e shtëpive, shpërnguljet jashtë Kosovës, marrja e tokave janë vetëm një pjesë që implementoheshin nga xhandarmëria serbe. Kjo bëri, që populli i Kosovës të mos pajtohet asnjë moment me mohimin e të drejtave njerëzore’’, u shpreh Presidenti Thaçi.
Ndër të tjera ai nuk e la pa përmendur edhe figurat e tjera të njohura, për të cilët thotë se nuk u pajtuan me copëtimin e Kosovës dhe ndarjen nga Shqipëria.
‘’ Figurat e njohura si ”Hasan Prishtina”, ”Bedri Pejani” e të tjerë nuk u pajtuan asnjëherë me copëtimin e Kosovës dhe ndarjen e saj nga Shqipëria. ”Çeta e kryengritësve ‘’ e Azem Bejtës e Shotë Galicës’’, është ajo që u dëshmua. Veçoritë ishin se pavarësisht që ekonomikisht ishin të dobët ‘’Çeta’’, gjetën përkrahje nga popullata. Veçoria e dytë ishte se ”Çetat” i qëndruan besnik kodit etik dhe ushtarak’’, tha presidenti duke kujtuar heroinën Galica.
Thaçi ka përmendur edhe sakrificat e Shotë Galicës, derisa vdekjen e saj e ka quajtur tragjike.
‘ Shote Galica për tre vjet me radhë edhe pas vdekjes së Azemit i qëndroi besnik ‘’Çetave’’. Vdekja e Shotës përkufizohet me një fat tragjik. Ajo është simbol i gruas dhe nënave shqiptare që përjetuan të mirën dhe të keqen. Ajo është simbol i krenarisë dhe dinjitetit të gruas shqiptare, i gruas dhe nënës që ndihmuan UÇK-në”, tha presidenti.
Në anën tjetër, ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemajl Minxhozi tha se Galica është personalitet i gjithë shqiptarëve.
” Shote Galica është simboli i qëndresës shqiptare. Është një personalitet që nuk do të vdesë kurrë në varr”, u shpreh Minxhozi.
Historianët shqiptarë thanë që kontributi shqiptarëve për liri e pavarësi është i madh. Ata treguan që karakteri i Shotës kishte qenë gjithmonë luftarak dhe i fortë.
Pjesë e kësaj ceremonie ishte edhe kryetari komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku dhe ai i Prizrenit Ramadan Muja.
Shotë Galica, njihet për kontributin e saj në luftën kundër armikut. Ajo ka marrë pjesë në më shumë se 40 aksione kundër armikut, duke kundërshtuar politikën e dhunës e të terrorit të regjimit të Beogradit ndaj popullsisë shqiptare.