Një listë e gjatë e të burgosurve, të cilët vuajnë dënimet nëpër burgjet e Kosovës, janë në pritje për faljes nga presidenti i Kosovës.
435 të burgosur përmes kërkesave të tyre dorëzuar Shërbimit Korrektues të Kosovës, presin të falen nga presidenti i Kosovës Hashim Thaçi.
Shërbimi Korrektues i Kosovës, nëpërmjet një përgjigjeje me shkrim, ka thënë se tashmë në Zyrën e presidentit gjenden të gjitha këto kërkesa, raporton KTV.
Pavarësisht se cilat janë veprat penale, sipas Shërbimit Korrektuese, ata e kanë për obligim të kompletojnë dokumentacionin dhe ta dorëzojnë, e vendimin i mbetet presidentit që ta marrë.
Në bazë të nenit 6 paragrafi 5, të Rregullores për Kriteret dhe Procedurat për Faljen e Personave të Dënuar, ne pranojmë dhe dorëzojmë tek organet kompetente kërkesat për falje nga të dënuarit gjatë gjithë vitit. Nga fillimi i vitit 2019, e deri më tani kemi pranuar dhe përcjellë tek organet kompetente për procedurë të mëtutjeshme 435 kërkesa për faljen e dënimit nga të dënuarit. Të gjitha kërkesat që vijnë te ne, pa marrë parasysh veprën e të dënuarit, ne bëjmë kompletimin e dokumentacionit të të dënuarit dhe i dorëzojmë për procedurë të mëtutjeshme tek organet kompetente.
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut tashmë është duke punuar me 6 raste të grave të dënuara me mbi 10 vjet burgim për vepra të ndryshme penale, përfshirë edhe vrasje.
Të gjitha këto raste, sipas KMDLNj-së, i plotësojnë kushtet të falen ose t’u ulet dënimi i shqiptuar.
Sipas KMLDNJ-së, për vite me radhë nga falja e presidenti janë diskriminuar gratë, të cilat në shumë raste i kanë plotësuar kriteret për falje.
Por, Zyra e presidentit nuk ka dhënë detaje nëse ka formuar komisionin për shqyrtimin e këtyre kërkesave të të burgosurve, dhe nëse pritet që këtë fundvit të vendosë për të falur ndonjë prej të burgosurve që tashmë kanë dërguar kërkesë.
Derisa në shkurt të këtij viti me rastin e përvjetorit të pavarësisë së Kosovës, presidenti i vendit u kishte falur dënimin 6 të burgosurve, në mesin e tyre edhe tre të dënuarve për vrasje.