Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është takuar me ministren greke, Sofia Zacharaki

Prishtinë | 15 Pri 2024 | 14:09 | Nga Flutura Sogonjeva

Presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani ka takuar ministren për Punë Sociale dhe Familjes së Greqisë, Sofia Zacharaki, raporton Ekonomia Online.

Në Forumin Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë e organizuar nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani po marrin pjesë personalitete të shquara nga mbarë bota.

Takimi është realizuar në ambientet ku po mbahet edicioni i dytë i Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë.

Në takim është diskutuar për axhendën e Forumit Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, e cila përkon me kohën kur paqja dhe siguria ndodhen nën sulm në pjesë të ndryshme të botës, teksa gratë dhe vajzat janë në qendër të dhunës, torturës dhe trajtimit çnjerëzor.

Presidentja Osmani ka theksuar nevojën e rritjes së përpjekjeve për ta luftuar dhunën me bazë gjinore dhe mbështetjen e të mbijetuarve, duke përfshirë forcimin e kuadrit ligjor dhe ofrimin e shërbimeve mbështetëse.

Më tej, Presidentja Osmani theksoi rëndësinë e rritjes së përfaqësimit politik dhe pjesëmarrjes së grave në proceset vendimmarrëse në të gjitha nivelet e qeverisjes.

“Fuqizimi ekonomik i grave, qasja më e mirë në arsim, kujdes shëndetësor dhe mundësitë ekonomike, luajnë rol përmbajtësor në përmirësimin e pozitës së vajzave dhe grave në shoqëri”, ka theksuar Presidentja Osmani.

Të ngjashme