Zëvendëssekretari amerikan ia konfirmon Osmanit finalizimin e Dialogut Strategjik me SHBA-në

Prishtinë | 10 Jan 2025 | 10:50 | Nga Ekonomia Online

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka njoftuar se Kosova dhe SHBA-ja së shpejti do ta finalizojnë marrëveshjen për Dialogu Strategjik.

Ajo ka thënë se lajmi i është konfirmuar nga zëvendëssekretari i Shtetit për Menaxhim dhe Burime, Richard R. Verma, të cilin e ka pritur në takim të premten, raporton Ekonomia Online.

“Lajm i shkëlqyeshëm për Republikën e Kosovës! Pas propozimit që i kam dërguar Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si Presidente e Republikës qysh në vitin 2021, pastaj rikonfirmuar në qershor të vitit 2022 nëpërmjet notës verbale si dhe në takimin me Sekretarin Blinken në korrik 2022, si dhe pas një pune të jashtëzakonshme të ekipeve tona përgjatë viteve të kaluara, sot në takim me Zëvendës Sekretarin amerikan Richard Verma m’u konfirmua se Kosova dhe SHBA-të do ta finalizojnë së shpejti Dialogun Strategjik”, ka shkruar Osmani.

Presidentja ka theksuar se kjo është një e arritur e jashtëzakonshme që dëshmon se partneriteti i mirëfilltë, i bazuar në vlera dhe interesa të përbashkëta, gjithmonë sjell rezultate.

“Falënderoj Qeverinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për këtë përkrahje ndaj popullit të Kosovës dhe mezi pres ta vazhdojmë bashkëpunimin intensiv në interes të Kosovës”.

“Ekipet tona do të takohen së shpejti për ta finalizuar marrëveshjen për Dialogun Strategjik e cila do të përfshijë fusha shumë të rëndësishme në interes të qytetarëve të Kosovës”, ka thënë Osmani.

Gjatë ditës së djeshme, Verma ka qëndruar në Shqipëri, në kuadër të vizitës së tij në tri shtete të Ballkanit, Shqipëri, Kosovë dhe Serbi.

Të ngjashme