Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, dekoroi kampionen e shumëfishtë dhe njëherit edhe xhudisten më të mirë në rruzullin tokësor, Majlinda Kelmendi, me urdhrin “Shotë Galica”, shkruan EkonomiaOnline.
Osmani tha se pa modelin që ajo u dha të rinjve tanë, sot nuk do ta kishim as Distria Krasniqin, e as Nora Gjakovën.
”Ajo është e para që i dha jehonë vendit tonë të vogël. Kjo forcë e pathyeshme ishte dhe vazhdon të jetë frymëzim për vajzat e Kosovës dhe përtej. Kjo është Majlinda.
Kampionia olimpike dhe botërore, Kelmendi, do të largohet nga skena e madhërishme e xhudos, për t’iu bashkuar trajnerit Driton Kuka, si trajnere e xhudos.
Presidentja Osmani gjithashtu falënderoi edhe trajnerin Driton Kuka.
“Asnjëherë nuk do të mund t’i dalim hakut për emocionet për krenarinë e dinjitetin që na e dha si shtet”, deklaroi Osmani.
Hajrulla Çeku, Ministër i Kulturës Rinisë dhe Sportit në këtë ceremoni tha se është kënaqësi e veçantë që është këtu.
“Toni tash e ka më të lehtë kur Majlindën e ka në krah. Majlinda me arritjet e saj është shndërruar në ikonën e sportit Kosovar. Majlinda po mbyll karrierën e saj, por kontributi i Majlindës do të mbetet përgjithmonë në histori”, tha ministri Çeku.
Agron Kuka, presidenti i Federatës së Xhudos, tha se nuk i besohet që kaluan 20 vite, sakrificë e mundime.
“Ti u bëre edhe udhërrëfyese e kampioneve pas teje, gjurmët e tua do të mbesin përjetësisht në sportin e shtetit tonë”, deklaroi Kuka.
Trajneri, Driton Kuka, nuk arriti të mbajë lotët derisa po fliste për Majlindën.
“Majlinda po ju jep shpresë njerëzve me jetu në Kosovë, kjo na ka bë të përgjegjshëm”, deklaroi Kuka.
Sipas tij, Majlinda e krenoi atë dhe familjen “e mbi të gjitha e ka nderuar një komb”.