Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka udhëhequr takimin e radhës të Këshillit Konsultativ për Komunitete, i cili mbajti një minutë heshtje në nderim të ndarjes nga jeta të anëtares së Këshillit, të ndjerës Gylten Nobrda.
Presidentja Osmani ka bashkëbiseduar me anëtarët e Këshillit për shqetësimet që kanë komunitetet.
Ajo ka uruar komunitetin boshnjak për ditën e tyre dhe ka theksuar se Këshilli Konsultativ është një nga zërat më të rëndësishëm të komuniteteve në Republikën e Kosovës. Sipas saj, ky mekanizëm u jep mundësinë komuniteteve që të përfshihen në nisma legjislative dhe si rezultat, të avancojnë pozitën e komuniteteve në Kosovë.
Presidentja Osmani ka theksuar se Zyra e Presidentes ka zhvilluar takime të vazhdueshme me institucionet tjera dhe ka kërkuar zbatimin e rekomandimeve të këtij Këshilli.
Në takimin e Këshillit Konsultativ për Komunitete janë shqyrtuar disa rekomandime në lidhje me shënimin e Ditës së Diversitetit, shpalljen e konkurseve në gjuhët zyrtare në Republikën e Kosovës dhe çështje të tjera që kanë të bëjnë me komunitetet.
Sipas Presidentes Osmani, promovimi i të drejtave të komuniteteve është përkushtim i cili kërkon angazhim të përbashkët.
“Si Presidente e Republikës së Kosovës, do të ofroj mbështetje të plotë, brenda kompetencave kushtetuese dhe ligjore, për mbrojtjen e të drejtave të komuniteteve. Andaj, do të punoj për të shtyrë para rekomandimet e Këshillit gjatë tërë mandatit tim dhe për më tepër, do t`i bashkërendojmë aktivitetet tona”, ka thënë Presidentja Osmani.