Presidentja Osmani përplaset me Borrell për shpërndarjen e vaksinave anti Covid-19

Prishtinë | 18 Qer 2021 | 17:23 | Nga Ekonomia Online

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është shprehur e pakënaqur me shpërndarjen e vaksinave anti COVID-19.

Ajo ka pasur një përplasje me Komisionarin e Politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell, gjatë Forumit të Diplomacisë në Antalia të Turqisë.

“Nuk e shoh si momentin e duhur për të drejtuar gishtin drejt njëri-tjetrit, përkundrazi, që së pari të jemi falënderues për mbështetjen që kemi marrë dhe së dyti t’i trajtojmë sfidat që i kemi kaluar. Zotëri Borrell e përmendi iniciativën e COVAX nga e cila ka përfituar edhe Kosova. Por ndërkohë që përfitonim e kemi parë se jo secilën herë shpërndarja ka qenë e barabartë”, është shprehur Osmani.

“Prandaj mendoj se është shumë e rëndësishme që kriteret e rëndësishme të respektohen për çdo herë dhe jo nganjëherë. Prandaj mësimet që kemi nxjerrë nga kjo situatë tejet e vështirë për gjithë botën, është se pjesa e botës që është shumë e fuqishme mund të na ndihmojë ne vendeve që nuk jemi edhe aq të forta dhe që barazia dhe mbështetja e drejtë është tepër e rëndësishme. Ata që kanë nevojë për më tepër ndihmë duhet ta pranojnë atë dhe kur flasim për atë se ne nuk mund të jemi të sigurt derisa të gjithë të jenë të sigurt. Duhet ta kemi parasysh se kjo duhet të shërbejë edhe për fushat tjera”.

Më këtë ka replikuar Borrell, ku ka thënë se nuk kanë ndërhyrë në mënyrën se si COVAX i ka shpërndarë vaksinat.

“Dikush po fliste për drejtësi dhe që COVAX nuk është treguar gjithnjë i drejtë. A e dini çfarë? Ajo që ne në Evropë kemi bërë, është që kemi krijuar bazën për kriteret e shpërndarjes së vaksinave vetëm nga burimet tona, pra ne i kemi dhënë para COVAX-it por nuk kemi ndërhyrë në mënyrën se si COVAX e ka bërë shpërndarjen e vaksinave sepse ky program funksionin i pavarur në bazë të kritereve të IOM dhe GAVI”.

Të ngjashme