Presidentja Osmani: Reçaku mbetet dëshmi historike që kërkon drejtësi

Prishtinë | 15 Jan 2026 | 12:31 | Nga Gzim Mujaj

Në nderim të 45 viktimave të pafajshme që u vranë mizorisht 27 vjet më parë në Reçak, u mbajt akademi përkujtimore nga ku Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se Reçaku është dëshmia që Serbia kreu gjenocidin ndaj popullatës civile shqiptare, vetëm e vetëm pse ishin shqiptarë, raporton Ekonomia Online.

Osmani theksoi se Reçaku nuk është vetëm një emër në historinë e Kosovës, por një pikë kthese që ia qartësoi botës realitetin e regjimit gjenocidal serb ndaj civilëve të pafajshëm në Kosovë.

Presidentja tha se këtë guxim e dëshmoi edhe ambasadori William Walker, duke e cilësuar atë si simbol të së vërtetës për Reçakun. Ajo përmendi deklarimin e tij të dhënë më 16 janar 1999 në Reçak.

“Ka vende që mbeten përgjithmonë dëshmi, ka vende që nuk heshtin kurrë dhe ku gjurma e dhimbjes është po aq e freskët sa ishte para 27 vitesh; ka vende që u bënë zgjimi i ndërgjegjes demokratike. I tillë është Reçaku. Reçaku nuk është vetëm një emër i historisë së Republikës sonë, por u bë pikë kthese. Kthesë që e qartësoi para botës realitetin e hidhur të regjimit gjenocidal serb ndaj civilëve të pafajshëm në Kosovë. Më 15 janar 1999, Reçaku u bë simbol i vuajtjes së një populli që kërkonte liri, por edhe simbol i guximit. I guximit për ta quajtur krimin me emrin e vërtetë. Këtë guxim e dëshmoi ai që edhe sot mbetet simbol i së vërtetës, ambasadori Ëilliam Ëalker. “Nga ajo që pashë personalisht, nuk hezitoj ta përshkruaj ngjarjen si masakër, pa asnjë dyshim një krim i rëndë kundër njerëzimit” – këto ishin fjalët e Ëilliam Ëalkerit, të shqiptuara më 16 janar 1999 në Reçak. Por nuk ishin vetëm fjalë, ishin pikë kthese në historinë tonë që tronditën botën dhe, mbi të gjitha, ia zhveshën maskën e gënjeshtrës regjimit gjenocidal të Serbisë”, tha ajo.

Në fjalën e saj Osmani tregoi historinë e dhimbshme të Benjamin Mehmetit, të cilit iu vra ndër të tjerash edhe binjaku i tij.

“Në këtë vend, ku toka mban ende peshën e dhimbjes, 27 vjet më parë 45 civilë shqiptarë u masakruan mizorisht, shumica në Kodrën e Bebushit. U vranë vetëm e vetëm pse ishin shqiptarë, njerëz që kërkonin të jetonin të lirë në tokën e tyre. Në mesin e 45 martirëve ishte babai dhe motra e Benjamin Mehmetit. Atë ditë të ftohtë janari, fati i dy vëllezërve binjakë u nda nga një vendim i pafajshëm i rikthimit në shtëpi. Benjamini vendosi të qëndrojë edhe një natë te dajtë e tij në Godanc, ndërsa Elhamiu vendosi të rikthehet në shtëpi në Reçak. Por kthimi në shtëpi ishte sa dëshirë e madhe, po aq ankth, pasiguri dhe rrezik mbi të gjitha. Në ditën e tmerrshme të 15 janarit 1999, rrugën Elhamiut ia prenë plumbat e regjimit gjenocidal të Serbisë; ai mbeti i plagosur, ndërsa motra Hanumshahja u vra derisa tentoi t’i dilte në ndihmë vëllait të saj, siç bën çdo motër për vëllain e vet.Makthi për familjen nuk mbaroi me kaq. Benjamini humbi edhe babain po atë ditë. Dhimbja e Benjamin Mehmetit nuk është individuale, është dhimbje e gjithë Kosovës dhe e Reçakut, sepse ata që humbën më të dashurit e tyre ishin shumë. Janë shumë dhe janë në mesin tonë çdo ditë. Në Kosovë secili ka dhënë diçka për lirinë: dikush gjak, dikush pushkë, dikush djersë e dikush lot që nuk ndalen as sot. Pikërisht kjo sakrificë e bëri lirinë të mundshme. E bëri të mundshme edhe shtetin tonë të pavarur, i cili i dedikohet secilit që dha mund, bëri sakrificë në mënyrën e vet, që sot të jetojmë të lirë në Republikën e Kosovës”, u shpreh Osmani.

Të ngjashme