Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu theksoi rëndësinë e mbështetjes së Turqisë në pjesëmarrjen e vendit të saj në organizatat ndërkombëtare. “Do të vazhdojmë të qëndrojmë në kontakt për të bërë gjithçka lidhur me këtë çështje në arenën ndërkombëtare, për të vazhduar mbështetjen e fuqishme të Turqisë, jo vetëm votën e saj por edhe për të marrë mbështetjen e diasporës”, tha ajo.
Osmani-Sadriu në margjinat e Forumit të Diplomacisë së Antalya-s (ADF), në të cilin AA është partner global i komunikimit, në qendrën e Kongresit NEST në rajonin turistik Belek në Antalya në një prononcim për Anadolu Agency (AA) foli lidhur me zhvillimet.
Presidentja e Kosovës e cila ishte pjesë e ADF dhe samitit të krerëve të shteteve dhe qeverive të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP) tha se në këto takime përfaqësuesit e vendeve pjesëmarrëse shprehën pikëpamjet e tyre mbi çështjet rajonale dhe ndërkombëtare. “Gjithashtu nga pandemia mësuam se sa na ka lidhur me njëri-tjetrin dhe se sa kemi nevojë për njëri tjetrin”, tha ajo.
Ajo tregoi se përveç si folëse në sesione të ndryshme në kuadër të ADF ka zhvilluar edhe takime bilaterale, duke shtuar se “Kjo platformë ishte një mundësi shumë e mirë për të zhvilluar bisedime. Përveç marrëdhënieve bilaterale zhvilluam takime për njohjen e Kosovës si shtet”.
Osmani-Sadriu duke treguar se ka zhvilluar dhe takime me të rinjtë tha se “Biseduam për problemet e përjetuara dhe zgjidhjet, jo vetëm si një person që ka hyrë në politikë në moshë të re para 22 vitesh, por edhe biseduam për të mundësuar që zëri ynë të dëgjohet si një diplomate dhe aktiviste e re”.
“Kemi nevojë për mbështetjen e Turqisë për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare”
Ajo më tej tërhoqi vëmendjen se gjenden tema të reja për përforcimin e marrëdhënieve mes Turqisë dhe Kosovës, në mesin e të cilave numëroi bashkëpunimin tregtar dhe kulturor.
Sipas saj, në të dyja vendet jetojnë shtetas që vijnë nga vendi tjetër dhe se ky grup është si një urë mes të dy vendeve. “Këtë çështje e biseduam edhe me presidentin Erdoğan. Gjithashtu shohim edhe një përparim në bashkëpunimin tonë në fushat si tregti, shëndetësi dhe mbrojtje. Kemi shumë gjëra për të bërë në aspektin ekonomik. Prandaj presim me padurim që të punojmë me Erdoğan-in dhe institucionet turke”, tha ajo.
Osmani-Sadriu vuri në dukje se në Kosovë ka shumë fusha ku biznesmenët turq mund të investojnë. “Kosova është një vend shumë i mirë për investime. Kemi popullsinë më të re në Evropë, burimet tona njerëzore janë shumë të larta dhe fuqia punëtore është e lirë. Qytetarët tanë njohin disa gjuhë dhe janë bërë mjeshtër në fushën e teknologjisë. 80 për qind të produkteve të prodhuara në vendin tonë shiten në SHBA, gjë që tregon se sa këto produkte janë me cilësi të lartë”, theksoi presidentja e Kosovës.
Ajo tha se për zgjidhjen e problemeve lidhur me papunësinë u japin rëndësi investimeve ndërsa potencial i Kosovës është i lartë.
Osmani-Sadriu theksoi se për mbështetjen e Turqisë kanë nevojë edhe në aspektin e njohjes së Kosovës. “Kemi nevojë për mbështetjen e Turqisë për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare. Do të vazhdojmë të qëndrojmë në kontakt për të bërë gjithçka lidhur me këtë çështje në arenën ndërkombëtare, për të vazhduar mbështetjen e fuqishme të Turqisë, jo vetëm votën e saj por edhe për të marrë mbështetjen e diasporës. Sepse kjo nuk është vetëm për mirëqenien dhe zhvillimin tonë por është e rëndësishme edhe për paqen dhe stabilitetin në rajon”.
“Nuk ka asnjë problem lidhur me njohjen e pavarësisë së Kosovës”
Ajo ndër të tjera duke potencuar se takimet bilaterale në margjinat e ADF kanë qenë të frytshme tha se “Kosova përballet me shumë probleme që Serbia dhe Rusia nxjerrin kundër procesit të njohjes. Dua të theksoj se pavarësia e Kosovës është një proces i pakthyeshëm dhe asgjë nuk mund të na ndalojë nga kjo”.
Osmani-Sadriu njoftoi se numri i vendeve që e kanë njohur Kosovën ka shkuar në mbi 100. “Ne flasim me vendet që janë gjeografikisht larg Kosovës dhe shpjegojmë se pavarësia është e drejta e Kosovës. Në aspektin politik Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë vendosi se pavarësia e Kosovës është në përputhje me ligjin ndërkombëtar. Prandaj nuk ka asnjë problem në aspektin e njohjes së pavarësisë së Kosovës nga vendet tjera”, deklaroi ajo.
Presidentja Osmani-Sadriu foli lidhur me dialogun që vazhdon me Serbinë. “Statusi i Kosovës është një çështje e zgjidhur përgjithmonë. Dialogu ynë aktual ka të bëjë me të qenit në gjendje të jetojmë krah për krah si dy fqinjë, duke hequr pengesat në tregti, duke folur për të zhdukurit në luftë dhe duke diskutuar mbi çështje për të mirën e popujve të dy vendeve sovrane”, theksoi presidentja e Kosovës.
Ajo nënvizoi se pavarësia dhe kufijtë e Kosovës në asnjë mënyrë nuk do të vijnë në tryezë, duke tërhequr vëmendjen se hapja e këtyre çështjeve për diskutim do të destabilizonte rajonin.
Sipas saj, me përshpejtimin e njohjes së Kosovës, integrimi evropian gjithashtu do të përshpejtohet.
“Është pala e BE-së që nuk mbajti fjalët lidhur me liberalizimin e vizave”
Osmani-Sadriu tha se vendi i saj ka bërë atë që i takon në rrugën për në Bashkimin Evropian. “Duhet të them se është pala e BE-së që nuk bëri atë që i takon lidhur me liberalizimin e vizave. Veçanërisht në fushën e liberalizimit të vizave, megjithëse e kemi bërë pjesën tonë 3 vjet më parë, BE-ja ende nuk e ka përmbushur këtë premtim”, tha ajo.
Ajo theksoi se disa vende të BE-së po vendosin pengesa në këtë proces, duke shtuar se Komisioni Evropian dhe Parlamenti Evropian kanë një qasje në favor të Kosovës.
Ndër të tjerat Osmani-Sadriu shprehu shpresën që edhe për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut do të përshpejtohet procesi i BE-së, ndërsa tha se ky proces është vonuar për rajonin.
Osmani-Sadriu theksoi se Serbia nuk është e sinqertë lidhur me anëtarësimin në BE. “Nuk mundeni të kërkoni anëtarësim në BE duke bërë gjithçka me Rusinë në aspektin ekonomik, ushtarak dhe tregtar, duke rritur ndikimin e Rusisë në rajon. Duhet të vendosin se çfarë duan. Për rajonin tonë BE-ja duhet të jetë opsioni i vetëm. Ne nuk kërkojmë një opsion tjetër. BE-ja gjithmonë është opsioni ynë i vetëm dhe synimi strategjik”, theksoi ajo.