Presidentja propozon ndërtimin e spitalit ushtarak për policët, ushtarët dhe familjet e tyre

Prishtinë | 29 Dhj 2023 | 12:51 | Nga Ekonomia Online

Presidentja Vjosa Osmani ka propozuar ndërtimin e një spitali ushtarak për t’iu ofruar shërbime shëndetësore gjithë ushtarëve, policëve dhe familjarëve të tyre si dhe për familjet e dëshmorëve, veteranëve dhe invalidëve të UÇK-së.

Këtë propozim me shtatë pika, Osmani e ka dhënë të premten në ceremoninë e certifikimit 325 ushtarëve të rinj të FSK-së, që është mbajtur në Ferizaj.

Por, fillimisht Presidentja ka thënë se duhet të paguhen shtesat për rrezikshmëri dhe pagesat për ndërrime e kujdestari të ushtarëve.

“E para është realizmi i pagesave të shtesave në paga për rrezikshmëri, e dyta është realizmi i pagesave të punë me ndërrime apo kujdestari për punë jashtë orarit, e treta është shërbimi i sigurimit jetësor dhe shëndetësor”, ka shtuar ajo.

Pos, sigurimit shëndetësor e jetësor, Presidentja ka thënë se plani i saj parasheh ndërtimin e spitalit ushtarak.

“E katërta është ndërtimi dhe funksionalizimi i spitalit ushtarak për shërbime deri në nivelin terciar për ushtarakët, policët dhe familjet e tyre si dhe për familjet e ushtarëve të FSK-së dhe policëve të rënë në detyrë, si dhe për familjet e dëshmorëve, invalidëve dhe veteranëve të UÇK-së, e pesta është përmirësimi i cilësisë së ushqimit dhe transportit, e gjashtë është sigurimi i banimit të përballueshëm dhe e shtata krijimi i fondit kreditues me kushte të veçanta për ushtarët e FSK-së”, ka deklaruar Presidentja, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Të ngjashme