Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuara në Kosovë, Ruairi O’Connell, ka marrë pjesë në konferencën “Qëndrimet dhe aftësitë që i duhen një lideri të shekullit 21”, e cila ka për qëllim që të informojë të interesuarit për të aplikuar për bursën prestigjioze “Chevening”, që financohet nga Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar dhe organizatat partnere.
O’Connell u ka bërë thirrjeve studentëve të aplikojnë për këtë bursë sepse vlerësoi se është mundësi shumë e mirë, e cila mund t’u shërbejë ngritjes së tyre profesionale, raporton Ekonomia Online.
Ai tha se për një mundësi të tillë studimi, aplikuesit duhet të besojnë në veten e tyre dhe të kenë vizion të qartë se çfarë duan të bëjnë pastaj.
“Aplikoni, mos mendoni se nuk jeni të mirë sa duhet apo se nuk është koha. Mund të merrni pjesë në debate, mund të bisedoni me njerëz relevantë. Duhet të keni vizion se çfarë doni të bëni me këtë. Lidership nuk nënkupton se të gjithë duhet të jenë ministra apo kryeministra. Aplikoni besoni, mund ta bëni diferencën”.
Bursisti Besnik Tahiri, i cili tash është koordinator nacional i Reformës Shtetërore në Qeverinë e Kosovës, u ka bërë thirrje aplikuesve potencial që të kenë vetëbesim dhe të luftojnë për atë që duan të arrijnë.
Tahiri theksoi se diplomimi i tij në Universitetin e Birminghamit i ka ndihmuar shumë në edukim dhe ngritjen e tij profesionale.
“Dua të ndajë me ju një histori më ndryshe. Ju duhet ti keni objektivat e juaja. Duhet ta shikoni vetën në pasqyrë dhe të thoni, po, unë mundem. Kur isha 23-vjeçar fillova të punoj si roje, punoja këtë punë sepse paguhej mirë dhe kisha nevojë të ushqeja vetën dhe familjen”.
“Kur luftoni do ta merrni atë që dëshironi. Ju e bëni diferencën kur punoni. Ajo që zakonisht shoh është që ka njerëz me shumë ambicie, por nuk kanë kapacitet për të arritur objektivat”.
Tahiri duke iu drejtuar aplikuesve të mundshëm, tha se ata duhet ta menaxhojnë si duhet egon e tyre. Ai vlerësoi se personaliteti është shumë i rëndësishëm, por shtoi se të rinjtë duhet ta kuptojnë se për të luajtur në një ekip, duhet të jenë lojtarë të mirë.
“Duhet të dini saktë se pse po shkoni në Britani dhe çka do të bëni kur të ktheheni nga atje”.
Merita Kostanica-Ukaj, e cila në të kaluarën ka qenë fituese e kësaj burse, tregoi eksperiencës e saj gjatë studimeve të nivelit master në një nga universitetet britanike.
“E di sa ishte e rëndësishme dhe më bëri kjo që jam sot. Pa këta kandidatë nuk mund të punojmë. Për të qenë të mirë duhet të punojmë, të lexojmë. Kur unë fillova isha shumë e re, por kur fillova të punojë, punë më dha mundësi që të bisedoja me personat e duhur”.
Ndërsa bursisti tjetër, Bersant Disha, ka thënë se studentët mund të bëhen liderë në shumë fusha.
“Nëse specializoni në një fushë të caktuar, ju do të gjeni një punë në Kosovë. Mund të bëheni matematikanë, kimist apo artist”.
Ngritja profesionale e liderëve të së ardhmes është një nga objektivat që ka programi global i bursave “Chevening”.
Kjo bursë prestigjioze u mundëson bursistëve të shquar që brenda një viti të mbarojnë studimet master në njërin nga universitetet e përzgjedhura në Mbretërinë e Bashkuar.
Këtë vit, janë bërë 35 vjet që kur është themeluar kjo bursë, ndërsa në Kosovë, bursat “Chevening” ndahen që nga viti 2001. Afati për aplikim për këto bursa është deri më 6 Nëntor.
Duke marrë parasysh që shumë të rinj të Kosovës kanë ambicie për të zhvilluar karrierën e tyre profesionale dhe akademike në Universitete të njohura në Britani të Madhe, kjo bursë u mundëson realizimin e këtij qëllimi.
Bursistë të Chevening nga Kosova, kanë arritur që të studiojnë në universitete prestigjioze në Britani të Madhe, si: Oxford University, London School of Economics-LSE, Kings College etj.
Konferenca është organizuar nga Ambasada Britanike në Kosovë në bashkëpunim me Asociacionin e Bursistëve “Chevening” të Kosovës.