Pas rishikimit në rënie që i bëri rritjes ekonomike për këtë vit, Qeveria e Shqipërisë parashikon se vitin tjetër ekonomia do të zgjerohet me 4.1%.
Anila Denaj teksa prezantoi buxhetin në konferencën e kryetarëve u shpreh optimiste për arritjen e këtij objektivi, pavarësisht ecurisë jo të mirë të të ardhurave për këtë vit. Paralelisht me këtë fakt qeveria parashikon se do të hapë 35 mijë vende të reja pune.
Sa i përket paketës fiskale, ministrja e vuri theksin tek procesi i ri i fiskalizmit i cili për vitin që vjen do të ndikojë pozitivisht në rënien e informalitetit.
Shpenzimet totale të buxhetit për vitin që vjen arrijnë në 532 miliardë lekë, ku fokusin më të madh të investimeve do ta kenë arsimi, shëndetësia, bujqësia dhe infrastruktura.