Kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani, ka prezantuar sot Ekipin Olimpik, i cili do të marrë pjesë në Lojërat Mesdhetare “Tarragona 2018” në Spanjë.
Ai bëri të ditur se Ekipi Olimpik i Kosovës përbëhet nga 40 sportistë të 12 sporteve të ndryshme, 13 trajnerë dhe katër gjyqtarë dhe do të përfaqësohet për herë të parë në një garë të tillë, raporton Ekonomia Online.
“Janë bërë të gjitha përgatitjet e duhura, presidenti na dorëzoi flamurin dhe na uroi përfaqësim të dinjitetshëm të Kosovës. Në këto lojëra do të marrin pjesë 40 sportistë nga 12 sporte të cilët janë të udhëhequr nga 13 trajnerë, ekipit i bashkohen edhe 4 gjyqtarë. Këta janë përgatitur mjaft mirë. Përgatitjet janë bërë nga mjetet e siguruara nga sponsorët e përbërshëm dhe nga MKRS. Është një delegacion i përzgjedhur nga federatat sportive. Kemi kërkuar nga federatat që të përzgjedhin sportistët më të mirë dhe kjo është bërë”.
Hasani ka thënë se një pjesë e delegacionit është nisur, një pjesë tjetër do të niset neser, ndërsa pjesa tjetër varësisht nga orari i garave që kanë.
Duke u folur sportistëve për mënyrën e sjelljes së tyre në fshatin ku do të vendosen, Hasani tha se secili prej tyre do të vështrohen si përfaqësues i shtetit të Kosovës dhe u bëri thirrje atyre që sjellja e tyre të jetë në nivel.
“Secili prej jush vështroheni si përfaqësues i 2 milionë kosovarëve, çdo sjellje e keqe sado e vogël lë përshtypje. Kërkoj që ju të leni përshtypje sa më të mirë. Do t’i kemi edhe disa informata edhe për doping, se si duhet të sillen kur t’iu afrohet zyrtari”.
Hasani ka bërë të ditur se Ministria spanjolle e sportit ka njoftuar se sportistët kosovarë do të jenë të barabartë me sportistët tjerë.
Karateisti Herolind Nishevci ka thënë se janë përgatitur shumë mirë sepse, siç tha, po shkojnë atje për të fituar medalje dhe për të mbrojtur ngjyrat e flamurit të Kosovës.
Nishevci ka folur edhe për ndalesën e Serbisë para disa javësh për të marrë pjesë në Kampionatin Evropian të Karatesë në Novisad dhe mundësinë që shorti t’i vë përballë me sportistët serbë.
Nishevci tha se nëse kjo ndodhë, sportistët kosovarë do të dalin fitues.
“Kemi mbajtur përgatitje, jemi munduar shumë sepse është garë e rëndësishme dhe po shkojmë për të mbrojtur ngjyrat e flamurit. Kemi me i tregu botës se edhe ne mundemi me marrë medalje. Na është mohuar pjesëmarrja në kampionatin evropian në Novisad, aty është edhe serbia, mundet me na ra shorti. Qëllimi është që të sjellim medalje, ana politike i takon politikës. Mundet me na ra shorti por mendoj se do të dalim fitues”.
Vildane Jashari, sportiste e volejbollit në rërë, ka thënë se është hera e parë që me këtë sport përfaqësohen në një nivel të tillë, por u shpreh optimiste në suksesin e ekipit olimpik në përgjithësi.
“Sporti i Beach Voleyball është relativisht i ri në Kosovë, është herë e parë që përfaqësohemi në këtë nivel. Kemi filluar përgatitjet me kohë dhe do të përgatitemi deri pak para se të nisemi. Nëse jo nga Beach Voleyball, shpresojmë që të mos kthehemi pa medalje dhe pa e ngritur flamurin e Kosovës në piedestalin më të lartë”.
Doktori Enver Tahiri ka mbajtur edhe një ligjëratë për masat kundër përdorimit të substancave, mjeteve dhe metodave të ndryshme përmes së cilave tentohet të ngriten aftësitë psiko–somatike të sportistëve, që njihet si doping.
“Sportisti duhet të zgjedhë kutinë e shisheve, duhet në mënyrë obligative t’i nënshtrohen formularit”.
Gjatë ditës së sotme, presidenti Hashim Thaçi ia ka dorëzuar flamurin e Kosovës ekipit olimpik, të cilit i ka uruar suksese në garat e Tarragonas në Spanjë.
Kjo është lista e sportistëve dhe trajnerëve që do të përfaqësojnë Kosovën në “Tarragona 2018”:
Xhudo: Nora Gjakova, Distria Krasniqi, Akil Gjakova, Loriana Kuka dhe Laura Fazliu. Trajnerë: Driton Kuka, Majlinda Kelmendi
Karate: Herolind Nishevci, Alvin Karaqi, Orges Arifi, Fortesa Orana, Adelina Rama. Trajner: Isak Curri.
Not: Dasar Xhambazi, Dion Kadriu, Dren Ukimeraj, Eda Zeqiri, Fjorda Shabani. Trajner: Ardian Hamiti.
Boks: Besfort Merlaku, Dielli Vranoci, Patriot Behrami, Violant Sylejmani. Trajner: Shefki Bogujevci.
Atletikë: Astrit Kryeziu, Gresa Bakraçi, Musa Hajdari, Vijona Kryeziu. Trajner: Zijadin Kryeziu
Shigjetari: Ardita Zejnullahu, Atdhe Luzhnica, Hazir Asllani. Trajner: Fehmi Bylykbashi
Tenis: Blearta Ukëhaxhaj, Burim Bytyqi, Granit Bajraliu. Trajner: Jeton Hadërgjonaj.
Volejboll në rërë: Armend Berisha, Faton Mustafa, Valmira Ramadani, Vildane Jashari. Trajner: Abedin Ibrahimi.
Pingpong: Fatih Karabaxhaku, Kreshnik Mahmuti, Mentor Shabani. Trajner: Baton Çitaku.
Taekwondo: Butrint Ejupi, Qëndrim Sejfijaj. Trajner: Nuhi Gashi
Peshëngritje: Leonora Brajshori. Trajner: Uzeyir Haciyev.
Shenjëtari: Nexhat Sahiti. Trajner: Bislim Musliu