Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS) dhe Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë (OSFA) organizojnë tryezën me temë “Shqipëri – Kosovë: dekonstruktimi i mitit të Shqipërisë së Madhe”.
KFOS dhe OSFA në dhjetor të vitit 2018 kanë përfunduar një hulumtim të gjerë në Kosovë dhe Shqipëri për të matur ndërveprimin dhe qëndrimet e qytetarëve të të dyja vendeve për një sërë çështjesh si: niveli i bashkëpunimit, distanca sociale, imazhet për fqinjët, integrimit evropian, bashkëpunimin rajonal, perceptimet dhe steriotipet ndaj njëri-tjetrit, qëndrimet ndaj bashkëpunimit zyrtar të të dyja vendeve dhe qëndrimet ndaj bashkimit kombëtar.
Ky studim pati dy qëllime kryesore: Së pari të evidentojë natyrën e ndërveprimit ndërmjet qytetarëve të Shqipërisë dhe Kosovës dhe eksplorimin e mundësive për intesifikimin e këtij ndërveprimi.
Së dyti të evidentojë bashkëpunimin e deritashëm ndërmjet dy vendeve në sektorë specifikë dhe të identifikojë mundësitë për thellimin e këtij bashkëpunimi në këta sektorë.
Studimi, poashtu ka për qëllim që t’i ndihmojë vendimmarrësit dhe politikëbërësit në hartimin e kursit më efektiv për politikën e jashtme, projektet e bashkëpunimit dhe marrëveshjet në fushën e bashkëpunimit ekonomik dhe kulturor, por edhe entitete të tjera.
Hulumtimi nuk ka qenë qëllimi përfundimtar i kësaj nisme të përbashkët të OSFA dhe KFOS, por është hapi i parë në serinë e disa aktiviteteve të cilat synojnë të analizojnë dhe nxisin debatin për thellimin e bashkëpunimit mes Kosovës dhe Shqipërisë, si projekt i rëndësishëm në zgjerimin dhe thellimin e bashkëpunimit rajonal.
Organizatat e shoqërisë civile në Kosovë dhe Shqipëri kanë bashkëpunuar për t’i hulumtuar më thellë temat në fushat si arsimi, marrëdhëniet diplomatike, bashkëpunimi strategjik, bashkëpunimi ekonomik dhe integrimi evropian me qëllim zbatimin e politikave të përbashkëta dhe nxitjen e bashkëpunimit midis dy vendeve në këto fusha.
Të gjeturat e këtyre hulumtimeve do të prezantohen dhe diskutohen sot në këtë tryezë.