Universiteti i Prishtinës (UP) “Hasan Prishtina”, ka prezantuar hulumtimin “10-vjetori i Pavarësisë së Kosovës – Pritje, Përvojë dhe Kujtesë”, i realizuar nga Departamenti i Sociologjisë, i Fakultetit Filozofik.
Hulumtimi përmbledh intervista me qytetarë të Kosovës, fokus grupe me studentë të UP-së, monitorim të medieve, si dhe intervista me krerë të shtetit në kohën e shpalljes së Pavarësisë, raporton Ekonomia Online.
Profesori Anton Berisha, tha se puna e studentëve është një përpjekje që ngjarjet të mos harrohen.
“Është një përpjeke që të rikujtohen dhe të mos harrohen gjërat që janë përjetuar. Gjërat që nuk shënohen harrohen nga gjenerata në gjeneratë. Jam i nderuar që sot kemi mundësinë që të shpalosim punën shumë të rëndësishme, por edhe që metodologjia e hulumtimit nuk ka munguar”.
Profesori Muhamet Mala, tha se si popull nuk njihemi për arkivimin e të dhënave, prandaj sipas tij, me këtë hulumtim po krijohet një standard i ri.
“… Fakulteti Filozofik është duke punuar që të ndërlidh praktikën dhe teorinë. Është një praktikë që ne shqiptarë nuk njiheni sa duhet në arkivimin e të dhënave prandaj në këtë koncept po krijohet një standard i ri”.
Profesori Shemsi Krasniqi, tha se puna në realizimin e këtyre hulumtimeve nuk ka qenë e lehtë sepse është dashur angazhim i madh edhe i studentëve dhe i stafit.
“…temat që i zgjedhim janë motivuese dhe inspiruese prandaj edhe vullneti për të punuar është i madh”.
Gjashtë studentët të cilët kanë punuar në këtë hulumtim para të pranishmëve prezantuan të arriturat e tyre duke e ndarë në disa grupe, raporton EO.
Hulumtimi kryesisht kishte të bënte me vlerësimet e të intervistuarve lidhur me shpalljen e pavarësisë së Kosovës si dhe gjendjen në Kosovë pas shpalljes së Pavarësisë.
Studentët gjithashtu kanë analizuat edhe ballinat e medieve të shkruara në Kosovë si dhe disa nga mediet ndërkombëtare.
Mentor të këtij hulumtimi ishin profesor Shemsi Krasniqi dhe Profesor Artan Krasniqi.