Duka i Cambridge, princi William, tha se nuk do t’i pengonte sikur fëmijët e tij të deklaroheshin si homoseksualë, porse ka frikë se çfarë pasojash do të sillte në pikëpamjen e abuzimeve dhe presioneve publike, raporton “Guardian”.
Ai shtoi se ishte tronditur nga sulmi i fundit ndaj dy vajzave që u rrahën, sepse nuk donin të putheshin para disa meshkujve të cilët i kishin detyruar ta bënin këtë.
Ai foli për këtë temë për herë të parë kur e vizitoi Londrën dhe selinë e organizatës Akt (Albert Kennedy Trust ) që merret me problemet e personave LGBT, të cilët kanë mbetur të pastrehë për shkak të orientimit të tyre seksual. Me këtë rast, një nga të rinjtë e pranishëm pyeti a do t’i pengonte nëse i biri i tij do të deklarohej si homoseksual, shkruan KOHA Ditore.
“Me të vërtetë kurrë nuk kam menduar për këtë derisa nuk u bëra prind. Dhe mendoj se nuk do të më pengonte fare. E vetmja gjë që do të më brengoste është se si të tjerët do ta shikonin gjithë këtë, dhe se si do të reagonte bota ndaj këtij fakti. Catherine dhe unë kemi folur shumë për këtë dhe duam të përgatitemi për një gjë të tillë nëse ndodh ndonjëherë”, tha princi William.
Ai shtoi se që nga lindja e secilit prej fëmijëve të tij është nervoz për këto gjëra, jo për shkak se e gjykon apo nuk mund ta durojë këtë dukuri, por për shkak se ka frikë se si do t’i trajtojë bota kur ta zbulojë se janë homoseksualë.
“Do të doja të jetoja në një botë ku kjo është normale. Por situata është veçanërisht e ndryshme për familjen tonë, kjo është arsyeja pse jam i shqetësuar. Unë do ta mbështes çdo vendim që ata e marrin, por nga perspektiva e babait shqetësohem për pengesat, fjalët e urrejtjes dhe diskriminimi në të cilat mund të hasin”, përfundoi William, duke shtuar se varet nga ne që situata dhe të kuptuarit në shoqëri të ndryshojnë për të mirë.