Mbi 200 qytetarë të Rahovecit të cilët të mërkurën kishin shkuar për t’u imunizuar me dozën e parë të vaksinës anti-COVID, u kthyen mbrapsht.
Kjo për shkak të një problemi teknik që pamundësoi vaksinimin e tyre.
Dy printerët e kësaj qendre të vaksinimit dolën jashtë funksionit, njëri nga ta ditë më parë e tjetri gjatë mëngjesit të së mërkurës, njofton Klan Kosova.
Meqë problemi nuk u evitua deri në orët e mbrëmjes, shumë qytetarë erdhën përsëri të enjten, disa nga ta u shprehën edhe të mllefosur.
Pos këtyre telasheve teknike, kjo qendër po ballafaqohet edhe me mungesë të mjekëve, ku nga tetë ekipe të imunizimit sa ishin dikur tani operojnë vetëm me pesë.
Nga Ministria e Shëndetësisë ritheksuan se nga 98 ekipe të vaksinimit sa ishin në fillim në gjithë vendin, së fundmi janë bërë 314.
Madje nga MSH-ja njoftuan se ditëve në vijim do të rekrutojnë edhe 422 profesionistë shëndetësorë për t’i dalë në ndihmë kujdesit parësor.