Në Prishtinë ka nisur Konferenca Ndërkombëtare për Muze dhe Trashëgimi “Mee, See, Do”, në të cilën po marrin pjesë rreth 100 muze dhe profesionistë të fushave të ndryshme të trashëgimisë nga 13 shtete.
Drejtori i Muzeut të Kosovës, Skender Boshtrakaj ka thënë se kjo konferencë do të zgjasë tri ditë dhe se qëllimi i saj është që të shihet se cilat janë aktivitetet që zhvillojnë muzetë në rajon, duke shtuar se ka ardhur koha që të kalohet në veprime dhe aktivitet të përbashkëta, raporton Ekonomia Online.
Ai ka thënë që fëmijët dhe të rinjtë duhet të jenë pjesë e programeve edukative dhe e një misioni të qartë të muzeve.
“Ajo që ka fillua me u respektua fort nga të gjithë muzetë e rajonit është pjesa e programeve edukative dhe e një misioni të qartë të Muzeut të Kosovës që fëmijët dhe të rinjtë duhet të jenë audiencë e rëndësishme e muzeve, hapje për akademinë për interpretime të reja dhe pasurim të këtyre interpretimeve. Një moment tjetër që po njihet nga muzetë tjerë për Muzeun e Kosovës është puna jonë që po e bëjmë me grupet specifike si me të verbrit, me fëmijë me sindromën Down dhe të themi me probleme tjera, por Muzeu i Kosovës nuk i trajton ashtu sepse ne po marrim dashuri prej tyre dhe këto programe kanë filluar me u respektua fort nga muzetë tjerë. Gjithsesi që secili muze i ka specifikat e veta dhe kemi çka t’i ofrojmë njëri-tjetrit si përvojë”, ka thënë ai.
Sipas tij është koha e fundit që Kosova të hapet ndaj rajonit.
“Është koha e fundit që Kosova duhet të hapet për rajonin dhe në përgjithësi rajoni duhet të hapet për Evropën. Ne duhet të lirohemi sa më parë që është e mundur nga problemet e së kaluarës dhe të funksionojmë në dobi të së ardhmes dhe të gjeneratave të reja dhe brenda këtij komunitetit të muzeve kjo ide është shumë e qartë dhe si duket është edhe e qëndrueshme”, ka shtuar ai.
Kurse sekretarja gjenerale e Rrjeti të Muzeve të Ballkanit, Aida Vezic ka thënë se qëllimi i kësaj konference është të shkëmbejnë përvojat dhe të mundohen të vejnë në pah problemet e përbashkëta dhe për të krijuar kushte më të mira pune për muzetë si institucione.
“Qëllimi është që ne si profesionistë të punojmë së bashkë në çështje të përbashkëta për të zgjidhur probleme të përbashkëta dhe për të krijuar kushte më të mira pune për muzetë si institucione, të cilat janë akterë relevant të shoqërisë dhe që kontribuojnë për shoqërinë në të gjitha aspektet si ai ekonomik, kulturor, shoqëror dhe politik. Qëllimi i kësaj konference është të mundësoj kolegëve që të bashkohen dhe bashkërisht të planifikojnë aktivitetet në të ardhmen dhe të ndajnë dituritë dhe qasjet në probleme duke mësuar nga njëri tjetri se si të ballafaqohen me çështje të ndryshme”, tha ajo.
Kjo konferencë e cila ka filluar sot do të zgjasë deri më tetë prill.
Konferenca është e organizuar nga Rrjeti i Muzeve të Ballkanit (BMN) dhe nga Fondacioni Trashëgimi Kulturore pa kufij (CHwB).
Konferenca mbështetet nga Fondacioni Stavros Niarchos, Muzeu i Kosovës dhe Fondacioni, Trashëgimi Kulturore pa kufij i Kosovës.
Më shumë se 350 muze dhe profesionistë të trashëgimisë nga vende të ndryshme anembanë botës kanë marrë pjesë në konferencat e mëparshme “Mee, See, Do”, të organizuara në Sarajevë (2013), Tiranë (2014), Novi Sad (2015) dhe Shkodër (2016).