Në sheshin “Nënë Tereza” në Prishtinë është mbajtur ceremonia e dorëzim-pranimit të monitorëve për publikimin e të dhënave të cilësisë së ajrit në Prishtinë, raporton Ekonomia Online.
Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, deklaroi se shpërndarja e monitorëve po bëhet për ngritjen e vetëdijesimit të qytetarëve për rëndësinë e ajrit të pastër.
Ai tha se monitorët do t’i njoftojnë qytetarët për cilësinë e ajrit në kohë reale.
Sipas Matoshit, ky projekt kap vlerën mbi 4 milionë euro.
“Faleminderit që në kuadër të vizitës së tij në Kosovë mundësuam shfaqjen e të dhënave se cilësisë se ajrit me katër monitor në qytetin e Prishtinës. Kjo është një përkushtim i yni për ta ngritur vetëdijesimin e qytetarëve se çfarë rëndësie ka ajri i pastër. Për me i njoftu qytetarët në kohë reale për gjendjen që ka ajri në kryeqytetin tonë. Ne kemi filluar projektin në vitin 2017 do të vazhdojmë deri në vitin 2020 me vlerë mbi 4 milionë”.
“Kemi pasur angazhime të përbashkëta përgjatë kësaj kohe siç është riparimi i qendrave të matjes së ajrit, pajisja e institutit e hidrometeorologjik me instrumente matëse të reja, trajnimi i zyrtarëve të MMPH për çështjen e ndotjes së ajrit. Ndotja nga termocentralet tona”, tha Matoshi, raporton EO.
Matoshi theksoi se duhet të ndërmerren edhe hapa të tjerë që dërgojnë në ndotjen e ajrit, për të cilat është duke punuar MMPH.
“Ky është një angazhim me tutje, do të përmirësojmë cilësinë e ajrit në vend. 78 milionë janë të miratuar për ndërrimin e filtrave në Kosovën B që konsiderohen një nga ndotësit më të mëdhenj në vend. Duhet të ndërmerren edhe hapa të tjerë siç është parandalimi i përdorimit të thëngjillit, shitja nëpër rrugë. Veprime të njëpasnjëshme të cilat do të kenë ndikim për një ajër më cilësor”, tha Matoshi.
Përfaqësuesi i Zyrës së JICA-s për Ballkan, Jiro Takeichi, tha se Japonia ka mbështetur Kosovën në zhvillimin kapaciteteve në këtë sektor.
Siç tha ai, këta monitor do të shfrytëzohen për edukimin e gjeneratës së re.
“Jam i lumtur që jam këtu në inaugurimin e shfaqjes së të dhënave të cilësisë së ajrit. Rëndësia është e madhe e kontrollit në këtë vend. Ka shumë sfida që të përmbushen direktivat e BE-së. Për tu përmbushur këto standarde të gjitha politikat dhe strategjitë duhet të jenë të bazuara në evidenca apo të dhëna teknike”.
“Japonia ka mbështetur zhvillimin e kapaciteteve në këtë sektor. Qytetarët kanë mundësi të dinë treguesin e cilësisë së ajrit në kohe reale dhe do të jenë më të vetëdijshme për cilësinë e ajrit. Vetëdijesimi duhet ta mbështesë vendimmarrjen e qeverisë. Shpresoj që këto ekrane do të mirëmbahen për një kohë më të gjatë. Këto ekrane do të shfrytëzohen për edukimin e gjeneratës së re”, u shpreh ai, raporton EO.
Drejtoresha e Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, Letafete Latifi, ka treguar për ecurinë e punës së këtyre monitorëve të cilët do të përdorën nga qytetarët për tu informuar në kohë reale për cilësinë e ajrit.
Latifi potencoi se janë në diskutim që monitorë të tillë të dërgohen edhe në qytete tjera të Kosovës, e veçanërisht në Obiliq.
“Falënderoj ekspertet japonez që na kanë dhënë donacion katër monitorët të tillë në të cilët kemi paraqit indeksin e cilësisë se ajrit. Lartë e kemi parametrin e temperaturës, data se dhe donatorët se nga kush vijnë të dhënat. Kostoja e mirëmbajtjes do të jetë 3 mijë euro”.
“Por, do të shohim gjatë fazës testuese dhe do të shohim çmimin real. Planet janë që të njëjtën metodë të zhvillojmë edhe në komunën e Obiliqit, jemi në bashkëbisedim dhe shpresoj që edhe Obiliqi të ketë një monitor të tillë”, u shpreh Latifi, raporton EO.
Në fund, përfaqësues i Zyrës së JICA-s për Ballkan ndau certifikatë për MMPH.