Ka dështuar përpjekja e Prishtinës që të kompensojë në tavolinë pikët që i lëshoi në fushë në takimin me Ferizajn, shkruan sot Koha Ditore.
Të shtunën në kuadër të xhiros së pestë të Superligës së Kosovës në futboll Prishtina barazoi në shtëpi pa gola me Ferizajn. Por Prishtina ka kërkuar fitore në tavolinë, me rezultat zyrtar, duke vlerësuar se për Ferizajn pa të drejtë ka luajtur ish-lojtari i saj, Mentor Mazrekaj.
Pretendimi i saj nuk është vlerësuar i drejtë të martën nga Komisioni i Garave i FFK-së dhe ndeshja është regjistruar me rezultatin e arritur në fushë.
Pikët që i lëshoi ndaj Ferizajt, Prishtina ka rastin t’i kompensojë në një mënyrë menjëherë të mërkurën (sot) kur e luan një takim të mbetur, atë të xhiros së parë ndaj Gjilanit.
Edhe ndeshja Prishtina – Gjilani ka një histori që ka mundur të ketë vendimin përfundimtar në tavolinë. Madje Gjilani kishte bërë ankesë dhe kishte kërkuar fitore me rezultat zyrtar, por më pas e kishte tërhequr ankesën pas një takimi që drejtues të klubit patën me drejtues të FFK-së.