Prishtina konsumon 33% të rrymës në Kosovë

Prishtinë | 04 Dhj 2021 | 12:33 | Nga Ekonomia Online

33% e energjisë elektrike në Kosovë konsumohet nga distrikti i Prishtinës, pasuar nga distrikti i Ferizajit me 14% dhe ai i Prizrenit me 13%.

Konsumi i energjisë elektrike në Kosovë po shënon rritje nga viti në vit. Krahasuar me periudhën e njejtë të vitit paraprak, Kosovarët kanë konsumuar 27.49% më shumë energji elektrike në tremujorin e dytë të vitit 2021.

Edhe në tremujorin e tretë të vitit 2021 ka vazhduar trendi i rritjes së konsumit. Sipas të dhënave nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, në këtë tremujor sasia e energjisë elektrike për konsum ishte 1 125.9 GWh energji elektrike. Në raport me tremujorin e njëjtë të vitit 2020, sasia e energjisë elektrike e konsumuar është rritur për 23.11%.

Të dhënat e reja të siguruara nga Kosovo.Energy për vitin 2021 tregojnë se distrikti i Prishtinës është përgjegjës për 33% të konsumit vjetor, pasuar nga distrikti i Ferizajit me 14% dhe ai i Prizreni me 13%.

Të dhënat e mësipërme nuk përfshijnë komunën e Mitrovicës së Veriut, ku vetëm për vitin 2020 është raportuar rritje e konsumit për 13.7%.

Konsumatorët komercial bashkë me ata industrial konsumojnë më pak energji elektrike se amvisëritë

Në Kosovë ka tri kategori konsumatorësh të energjisë elektrike, të ndarë në amvisëri, konsumatorë komercial dhe ata industrial.

Të dhënat e publikuara në uebfaqen e ZRRE-së për vitin 2019 tregojnë se konsumi në amvisëri ishte dukshëm më i lartë se konsumi nga kategoritë tjera. Gjatë këtij viti, 2,515 GWh orë energji elektrike janë konsumuar nga amvisëritë, pasuar nga 1,020 GWh nga konsumatorët komercial dhe 873 GWh nga konsumatorët industrial.

Këto të dhëna tregojnë se konsumi nga amvisëritë është mbi dyfish më i lartë krahasuar me konsumin nga konsumatorët komercial, apo me fjalë tjera, konsumatorët komercial bashkë me ata industrial konsumojnë bashkë më pak energji elektrike se ata të amvisërisë.

Në vitin 2019, nga gjithsej 6,001 GWh të konsumuara, 4,408 GWh konsumohen nga këto tri kategori, apo rreth 73.4% e vlerës së përgjithshme. Në pjesa tjetër të mbetur prej rreth 26.6% bëjnë pjesë humbjet teknike dhe komerciale, humbjet në transmetim dhe konsumi i brendshëm i KEK-ut.

Çka po shkakton konsumin e lartë të energjisë elektrike dhe si mund të ndikojë kjo në çmimet e energjisë elektrike?

Përderisa në shtëpitë dhe objektet banesore në shumë vende të Evropës përdoret gazi natyror si burim kryesor i energjisë për ngrohje, në Kosovë nuk ndodhë e njëjta gjë. Ngrohja është shpenzuesi më i madh i energjisë elektrike dhe përdorimi i saj, po rritë kërkesën për energji elektrike në shifra astronomike.

Sipas analizave, gjendja është alarmante pasi që piku i konsumit po arrihet në ora 18:00, çdo ditë dhe nuk po bie deri në mesnatë. Rritja masive e konsumit, me rënien e temperaturave, po sjellë nevojë për më shumë blerje të energjisë elektrike nga jashtë, ku dihet që çmimet e energjisë elektrike janë pesëfish më të larta se vitin e kaluar.

Pra, sa më shumë që importohet me këto çmime të larta nga jashtë, aq me shumë rrezikohemi nga ngritja e çmimit të energjisë elektrike.

Kjo rritje e madhe e konsumit gjatë stinës së dimrit po ndodh për shkak të një sërë faktorësh. Një ndër ta është edhe mungesa e alternativave dhe burimeve tjera për ngrohje në vendin tonë.

Për momentin vetëm në dy qytete të Kosovës, në Prishtinë (Ngrohtorja e Qytetit – NQ Termokos) dhe Gjakovë (NQ Gjakovë SH.A), ekzistojnë sisteme të energjisë termike, pra që nuk përdorin energjinë elektrike për ngrohje.

Meqë këto sisteme nuk furnizojnë të gjithë qytetin, shumë konsumatorë ngrohen duke kombinuar lëndët djegëse me energji elektrike, përderisa konsumi më i madh vie nga ata konsumatorë të cilët ngrohen vetëm me energji elektrike.

Një faktor tjetër i cili ka ndikuar në rritjen e konsumit të energjisë elektrike si dhe të kërkesës së madhe është edhe ndërtimi i hovshëm i objekteve shumë-katëshe, të cilat janë të gjitha duke shfrytëzuar energjinë elektrike për ngrohje. Qoftë kjo nxemje qëndrore me rrymë, apo nxemëse elektrike mobile, të gjitha këto po ndikojnë në stërngarkimin e rrjetit elektrik si dhe rritjen marramendëse të konsumit gjatë stinës së dimrit.

KESCO muajt e fundit nëpërmjet fushatave vetëdijesuese ka bërë apel te konsumatorët që ta kursejnë energjinë elektrike sa më shumë që munden.

Nëse të gjithë kursejmë, kjo do të ndikojë në zvogëlim të konsumit dhe do të lehtësojë ngarkesat e sistemit elektro-energjetik.

Të gjithë konsumatorët e kanë në dorë armën e vetme dhe kjo armë është kursimi maksimal i energjisë elektrike.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme