Komuna e Prishtinës bën të ditur se reforma e transportit publik për kryeqytetin përveç plotësimit të flotës së autobusëve me 51 autobusë të rinj, përfshin edhe Planin e Qëndrueshëm të Mobilitetit, plan ky i cili do të sigurojë një transport funksional publik afatgjatë në tërë territorin e Komunës së Prishtinës.
Në një komunikatë për medie kjo komunë njofton se Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, përveç kredisë për autobusë ka angazhuar edhe dy kompani me renome ndërkombëtare, “Mot Mac Donald” dhe “Grand Thornton”, për hartimin e këtij plani.
Qëllimet kryesore të Planit të Mobilitetit janë rregullimi i qarkullimit efikas në Prishtinë, qarkullimit rrugor, shtigjeve për çiklistë, hapësirave për këmbësorë dhe Transportit Publik efikas, ndërkaq fushat e veprimit janë:
-Përcaktimi i prioriteteve për investime në sektorin e transportit publik
-Të sigurojë qasje për të gjithë në transport publik
-Të përmirësojë sigurinë dhe të ulë mundësinë e aksidenteve
-Të ulë ndotjen e ajrit, zhurmën dhe konsumin e energjisë
-Të sigurojë kosto të përballueshme të udhëtimit
-Të propozojë rekomandime për particim të sektorit privat në Transportin Publik.